Shpalosi flamurin shqiptar me rastin e festave të Nëntorit, Serbia dënon me gjobë kreun e Komunës së Preshevës

18 Prill, 22:07| Përditesimi: 18 Prill, 22:10

  • Share

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, është gjobitur nga autoritetet serbe me rreth 500 euro.

Sipas Arifit, Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë e ka gjobitur atë për shkak se kishte vendosur flamurin shqiptar në selinë e partisë të cilën e drejtoi deri në muajin shkurt, Alternativa për Ndryshim — dega Bujanoc, me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit.

“Gjykata në fjalë ka nxjerrë AKTVENDIM lidhur me vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në selinë e partisë tonë në Bujanoc, me ç’rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj meje si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë ‘Alternativa për Ndryshim’, ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim”,- ka deklaruar Arifi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Ndër të tjera, kryekomunari i Preshevës e quan këtë vendim të gjykatës serbe si “pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Deri kur?

55.000 dinarë dënim për vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar ????????

Sot kam pranuar dënimin prej 55.000 dinarë nga Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar në selinë e Alternativës për Ndryshim — dega Bujanoc, me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit.

Gjykata në fjalë ka nxjerrur AKTVENDIM lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e partisë tonë në Bujanoc, me ç'rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj mua si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë "Alternativa për Ndryshim", ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim.

Ky aktvendim është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Derisa përgatitjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë në fazën finale për themelimin e ashtuquajturës "Asociacioni i komunave me shumicë serbe — Zajednica" me kompetenca të plota ekzekutive, shqiptarëve në Luginën e Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore siç është vendosja flamurit kombëtar.

Hapat e regresit të drejtave e minoritetit shqiptar në Serbi kanë një funksion divergjence me të drejtat e minoriteve serbe në Republikën e Kosovës.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?