Partizani e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri, pasi në dy ndeshjet e para ‘të kuqtë’ kanë dy fitore dhe protagonist është edhe mbrojtësi Hadroi, i cili prej kohësh është titullar fiks. Së fundmi mbrojtësi ka folur për disa çështje, duke nisur nga trajneri italian i ardhur rreth 3 javë më parë e deri tek titulli.
Si ju duket gjendja e ekipit në këtë start të sezonit?
"Ekipi po përgjigjet shumë mirë, dy ndeshje dhe po aq fitore nuk lënë vend për shumë fjalë. Trajneri po mundohet të na përshtati me stilin e lojës sulmuese dhe ne po punojmë për këtë."
Ndeshja e radhës është ndaj Bylisit, si e prisni këtë sfidë?
"Unë kam qenë pjesë e Bylisit dhe e di mjaft mirë se ata janë një ekip shumë i fortë në fushën e vet. Ne do të shkojmë për fitore, pastaj le t’ia lëmë fushës."
Luani ndaj ish-ekipit, a do ta ndihmoni trajneri Kolela për t’i treguar pikat dhe forta dhe të dobëta të ballshiotëve?
"Si ish-lojtar, i di mjaft mirë se çfarë ekipi janë, por duhet ta shohim te ndeshja. Çdo lojtar mundohet të japë maksimumin në ekipin ku është, ashtu siç do të bëj unë për Partizanin."
Si është forca e Bylisit në krahasim me Egnatian dhe Laçin, me të cilët jeni përballur deri tani?
"Secili ekip ka cilësitë e veta, edhe ekipi i Ballshit është mjaft i fortë në fushën e vet."
Ju kemi parë në të majtë dhe në të djathtë, ku ju pëlqen më shumë të luani?
"Roli im natyral është mbrojtës, por mund të luaj në çdo pozicion ku do të më vendosë trajneri. Preferenca ime është në të djathtë. Vjet Partizani kishte një mbrojtje shumë të mirë, por edhe sivjet nuk qëndron pas. Në fund të sezonit do të shohim gjithçka."
E ndien Partizani veten aq të fortë sa për ta fituar titullin kampion?
"Është herët të flasim për titullin, objektivi ynë është ndeshja e radhës, kaq."
Çfarë ka ndryshuar me Kolelën në krahasim me kohën kur skuadrën e drejtonte Mehmeti?
"Trajneri i ri na ka bashkuar pak më shumë. Gjithsesi, edhe puna e profesorit që ishte, ka qenë mjaft e mirë. Kolela preferon shumë lojën sulmuese dhe ekipi ndihet mirë për këtë."
Me aq sa patë në dy javët e para, cili është rivali më i fortë i Partizanit në garën për titullin?
Ata që kanë qenë gjithmonë, Partizani ka pasur gjithmonë rivalë të fortë për titullin kampion. E kam fjalën për Tiranën, Vllazninë, Kukësin, Teutën. Është herët për të veçuar njërin prej tyre, sepse ekipet duan kohë të tregojnë gjithë potencialin e tyre. Duhen të paktën 4-5 javë për të dalluar forcën e vërtetë të skuadrave."