Shoferi i kësaj makinë “Mercedes Benz”, rrezikon ndëshkimin ligjor deri në 3 vjet burg. Drejtuesi, një i ri, e kishte parkuar dysh në një prej rrugëve të Tiranës gjatë javës që lamë pas.
Përvec gjobës sipas Kodit Rrugor për parkimin e gabuar, dhe marrjes së automjetit me karrotrec, ky drejtues shënoi referimin e parë të policisë për hetim nga prokuroria për një vepër penale: Pengimin e qarkullimit.
Drejtuesi i ri, do të hetohet në gjendje të lirë sipas nenit 293 të Kodit Penal, nga gjobë deri në 3 vite burg. Kjo, shënon rastin e parë që një parkim i gabuar referohet si vepër penale, pas paralajmërimit të drejtuesit të Policisë së Shtetit Ilir Proda.
Në një raport me aksionet e policisë javën e kaluar, theksohet edhe rasti i një tjetër drejtuesit që e kishte parkuar makinën dysh, i cili gjithashtu po ndiqet penalisht
Për shkelje të tjera në rrugë, vetëm në Tiranë, në 1 javë u bllokuan 45 makina, si dhe u arrestuan apo po hetohen në gjendje të lirë, 25 shoferë të dehur, pa patentë, me celularë në timon apo pa rrip sigurimi.
Në rang vendi, Rrugorja instensifikoi kontrollet, sidomos gjatë fundjavës, duke konstatuar shpejtësi deri në 3-fishin e lejuar.
'Ditët e fundit janë konstatuar në aksin rrugor nga TEG për në drejtim të Tiranës, ku shpejtësia e matur nga pajisje teknologjike shkon deri në 246 km, e cila është një burim shumë i madh rreziku për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe është një nga shkaqet kryesore për aksidentet me pasoja', tha Artur Selimaj, Shef Sektori pranë Policisë Rrugore.
Selimaj, ngre shqetësimin e rasteve të tjera të shkeljeve që sjellin pasoja në rrugë.
'Po kështu gjatë monitorimeve janë konstatuar drejtimi i mjetit në gjendje të dehur nga përdoruesit e mjeteve, drejtimi i mjetit duke përdorur aparatet celular si dhe mos vendosja e rripit të sigurimit. Të treja këto shkeljet janë burimi i shtuar rreziku për të gjithë përdoruesit e rrugës', tha ai.
Shqetësimi i përdorimit të monopatinave vijon të jetë evident.
'Drejtoria e Policisë Rrugore ka hartuar një protokoll të posaçëm në lidhje me përdoruesit e monopatinave dhe të motomjeteve dhe do të marrë masa të posaçme për zbatimin me korrektësi të të gjitha këtyre normave që parashikon Kodi Rrugor', tha ai.
Kontrollet e intensifikuara janë bërë duke përdorur mjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, radarët automatikë, dronët, alkooltestuesit, kamerat dhe çdo pajisje tjetër që ka në dispozicion policia.
Komente

po dukuni dhe ne fier se nuk kalon dot nga makinat qe po parkohen jo vetem dys epo edhe ne trotuar si ne rruge kryesore e leme nedytesoret qe po behet nami
Përgjigju