Foto ilustruese

Shpërblimi mujor/ Qeveria ‘hap thesin’ për administratën e Vetingut (Kategoritë)

27 Shtator 2018, 07:16| Përditesimi: 27 Shtator 2018, 07:47

  • Share

Qeveria ‘Rama 2’ ka vendosur të mos kursehet sa i përket mbështetjes financiare për njerëzit e Vetingut, të cilëve shqiptarët dhe ndërkombëtarët u kanë besuar një prej reformave më të rëndësishme në historinë e pluralizmit shqiptar, atë të pastrimit të pallatit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Sipas një projektvendimi i përgatitur nga Parlamenti dhe qeveria, nëpunësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të përfitojë një shtesë mujore mbi pagën, me vlerë nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë të vjetra. Këtu nuk përfshihen anëtarët e trupave gjykuese, të cilët trajtohen veç financiarisht.

“Nëpunësit në pozicionet "sekretar i përgjithshëm", "drejtor", "përkthyes" "koordinator" dhe "specialist" në njësitë organizative të paragrafëve IV dhe V të lidhjes nr. 1 bashkëlidhur këtij vendimi, përveç pagës mujore përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë në muaj. Nëpunësit në njësitë organizative të paragrafit VI të lidhjes nr. l bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe sekretari i Kryetarit, përveç pagës mujore përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë në muaj”, thuhet në projektvendim. Gjithashtu, sipas projektit, nëpunësit në pozicionet që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë punë mbi pagën mujore sipas kushteve të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civile.

Për kategori të ndryshme të administratës publike, sipas natyrës së veçantë punës, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar shtesa mujore përveç pagën në masën 40 deri në 300 mijë lekë. Gjithashtu, projektvendimi parashikon që nëpunësit në pozicionet specialist arkivi, përfitojnë shtesë për kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin sipas përcaktimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë. Projektvendimi pritet të miratohet në seancën e ardhme plenare. Projektvendimi vjen pas një kërkese të firmosur nga kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa (Bungo), për shtesa mbi pagë për administratën e Vetingut si dhe për shtimin e numrit të punonjësve. Kërkesa për numrin e punonjësve është pranuar pjesërisht nga Komisioni i Ligjeve, por megjithatë pritet vendimi përfundimtar i Parlamentit.

Pagat e komisionerëve
Paga reale bruto e kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit më të rëndësishëm të Vetingut, është 395,376 lekë, ndërsa paga neto është 305.400 lekë në muaj. Paga bruto e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është 372,661 lekë në muaj, ndërsa paga neto është 288.296 lekë në muaj. Në fund të vitit 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë shpërblyer me nga 1 milionë lekë të vjetra secili. Anëtarët e Vetingut dhe fëmijët gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë. Ligji parashikon se, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gëzojnë të drejtën për mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?