Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar 2 punonjës policie dhe ka pezulluar nga detyra 1 tjetër, pasi dyshohet se kanë kryer disa vepra penale.
Përmes një njoftimi zyrtar, AMP bën me dije se arrestimi i në flagrancë i Shefit i të Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i identifikuar me inicialet A.H., 57 vjeç, u krye pasi duke drejtuar automjetin Volksëagen Pasat në unazën e qytetit të Korçës, ai është përplasur me mjetin Mercedes Benz që drejtohej nga shtetasi J. S. dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
“Korçë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 57 vjeç, me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Nga aksidenti ka patur vetëm dëme materiale.
Pas testimit të bërë me aparatin Drager ai rezultoi mbi normën e lejuar, në masën 1.07 mg/l”,- njofton policia.
Ndërsa në Elbasan, AMP njofton se pezulloi nga detyra inspektorin e policisë me inicialet B.T., 54 vjeç, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës".
“Elbasan, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" ndaj punonjësit të policisë Inspektor B. T., 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës”. Masa e sigurisë u caktua në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, ku nga veprimet hetimore të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se punonjësi i policisë B. T. ka favorizuar drejtues të ndryshëm automjetesh, të cilët kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”,- njofton AMP.
Në pranga ra dhe edhe një Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, pasi dyshohet ka përndjekur dhe dhunuar një 27-vjeçare.
“Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor B. M., 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Përndjekja" dhe "Dëmtime të tjera me dashje".
Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetases M.H., 27 vjeçe, e cila ka deklaruar se B. M., ish i dashuri i saj, më datë 25.05.2025 ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj”,- njofton policia.
lajm në përditësim…
Komente
