Tre persona janë arrestuar nga policia e Durrësit si të akuzuar për veprat penale "Falsifikim i dokumenteve" dhe "Mashtrimit me pasoja të rënda”, si pjesë e një operacioni të nisur disa muaj më parë.
Është goditur një grup me ish - punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët duke shpërdoruar detyrën, kanë shpronësuar një pronë dhe kanë lejuar një subjekt që të ushtrojë aktivitetin në kundërshtim me ligjin, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës.
Shërbimet e Policisë kanë bërë ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës u ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", shtetasve: A. M., 57 vjeç, banues në Tiranë, E. B., 40 vjeçe, banuese në Tiranë dhe N. D., 53 vjeçe, banuese në Tiranë.
Më konkretisht bëhet fjalë për një karburant që me vendim duhej shpronësuar dhe shtetëzuar. Me dokumenta prona është shpronësuar dhe shtetëzuar dhe pronarit të karburantit i janë dhënë 20 milion lekë dëmshpërblim. Mirëpo pronari në fjalë vazhdonte të shfrytëzonte pronën pasi vendimi nuk ishte ekzekutuar.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit S. Ç., për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe M. K., për veprat penale "Falsifikim i dokumenteve" dhe "Mashtrimit me pasoja të rënda”.