Shpërndahen mbi 500 pako ushqimore për zonat e thella të qarkut Shkodër! Prefektja: Do sigurojmë ushqim edhe për gjënë e gjallë! Situata emergjente edhe në Pukë

2 Shkurt 2022, 18:39| Përditesimi: 2 Shkurt 2022, 18:48

  • Share

Mbi 500 pako kryesisht me ushqime dhe detergjentë u shpërndanë nga Agjencia Kombëtare të Emergjencave Civile në bashkitë Pukë dhe Malësi e Madhe. Pakot ushqimore u siguruan nga rezervat materiale të shtetit pas kërkesës së bërë nga kryetarët e këtyre bashkive dhe prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni.

Konkretisht, në bashkinë Pukë u transportuan 300 pako, ndërsa në atë të Malësisë së Madhe 205 të tilla. Pakot në këto zona të thella u dërguan në ndihmë të familjeve në nevojë, ato me probleme sociale, shëndetësore apo të moshuar që jetojnë vetëm dhe që kanë hasur vështirësi të theksuara nga moti i ashpër dhe temperaturat e ulëta.

Në bashkinë Malësi e Madhe pakot u dërguan në njësinë administrative Kelmend ku ishin të pranishëm prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni dhe kryetari i bashkisë Tonin Marinaj. Prefektja e Shkodrës theksoi mbështetjen e autoriteteve, jo vetëm për banorët e fshatrave të thellë të qarkut, por edhe për bagëtitë e tyre gjatë këtyre ditëve me reshje bore dhe temperatura ekstreme.

 “Menjëherë sapo morëm njoftimin për situatën e vështirë në të cilën ndodheshin disa familje, bëmë të mundur që brenda 24 orëve ne t’i përgjigjemi nevojave konkrete. Ne kemi një situatë të tillë emergjente edhe në Pukë ku kemi dërguar një sasi paketash ushqimore sipas kërkesave të banorëve që ndodhen në vështirësi. Në rang qarku janë shpërndarë 507 pako ushqimore, po kështu edhe detergjentë. Pritet të vijë edhe një sasi bazë ushqimore për gjënë e gjallë.”- u shpreh prefektja Angoni.

Pakot iu dorëzuan kryetarëve të 8 fshatrave të Kelmendit, siç janë Vermosh, Lëpushë, Selcë, Tamarë, Brojë, Kozhnje, Nikç, dhe Vukël, për t’iu shpërndarë më pas banorëve në shtëpitë e tyre, ndërsa në Pukë pakot u shpërndanë për fshatrat e thellë të njësive administrative Qelëz, Qerret, Gjegjan dhe Rrapë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?