Foto ilustruese

Shpërndarësi i heroinës u kap me 81 doza drogë, tre ditë pas prangosjes gjyqtarja Fetahu e liron nga qelia

8 Prill 2020, 15:06| Përditesimi: 8 Prill 2020, 15:10

  • Share

Situata e pandemisë botërore COVID-19, ka sjellë lirimin e disa elementëve kriminalë në vend. Por kjo situatë është kthyer favorizuese edhe për ata persona që arrestohen nga policia, të cilët fill pas 4 ditësh, që dalin para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, lirohen nga gjykata duke urdhëruar që të mbyllen në kushtet shtëpie. Këto vendime kanë demotivuar ndjeshëm punonjësit e policisë së Shtetit, të cilët çdo ditë janë në krye të detyrës duke u përballur jo vetëm me rrezikun e infektimit nga virusi COVID-19 por edhe me eksponentë kriminalë.

I tillë është rasti i Artan Drizës nga Gramshi, një 54 vjeçar që u arrestua pak ditë më parë nga policia e Elbasanit, teksa kishte dalë në rrugë për të shpërndarë dhe shitur plot 81 doza heroinë. Driza, njihet në Elbasan si shpërndarës droge dhe për këtë akuzë është dënuar edhe më parë nga gjykata e Elbasanit. Driza rezulton i arrestuar dhe dënuar edhe për akuzën e “Dhunë në familje”, dënim i cili është dhënë nga gjykata e Tiranës.

54-vjeçari kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu, ku sërish i është kthyer zanatit të tij të vjetër, atij të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Këtë herë Driza, kishte marë përsipër të shpërndante dhe tregtonte në Elbasan plot 81 doza me heroinë, por është arrestuar shumë shpejt nga policia e këtij qyteti. Burime policore thanë se materialet hetimore i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit Elbasan, por teksa është zhvilluar seanca për caktimin e masës së sigurisë, Artan Driza, është urdhëruar të dalë nga qelia dhe të qëndrojë i mbyllur në kushte shtëpie.

Vendimi për Drizën është marrë pak ditë më parë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së sigurisë “arrest në burg”, duke vendosur që ai të qëndrojë në shtëpi. Mësohet se ky vendim tashmë është apeluar nga prokuroria e Elbasanit në Gjykatën e Apelit Durrës, por tashmë i gjithë operacioni policor dhe puna e policisë në këtë rast, u zbeh nga vendimarrja e gjykatës, e cila liroi të arrestuarin me 81 doza drogë me argumentin e situatës së pandemisë COVID-19.

Ne.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 09/04/2020 00:49

    Duket se z.PAJTIME FETAHU eshte pajtuar me idene se krimi paguan.Shpresoj qe dhe familjet e viktimave te krimit te <<pajtohen>> me znj.PAJTIME.

    Përgjigju
  • Elbasan: 08/04/2020 16:47

    Po pae jane kaq te pAprekshem keta gjykatesit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?