Pranvera nis me shpërblim për të gjithë pensionistët në të gjithë vendin. Nga e hëna 3 mars do të nisë shpërndarja e bonusit të pranverës për 730,430 pensionistë.
Përmes një video në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama thotë se të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që së bashku me pensionin mujor të tërheqin pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe banke të nivelit të dytë edhe shpërblimin e pranverës.
Më shumë se 511 mijë pensionistë do të marrin bonus 10 mijë lekë (100 euro) pasi pensioni i tyre mujor arrin deri në 20 mijë lekë dhe kategoria tjetër që marrin mbi 20 mijë lekë në muaj do të marrin bonus 5 mijë lekë (50 euro).
Ky bonus do mund të tërhiqet deri më 30 shtator të këtij viti njofton Ministria e Ekonomisë, ndërkohë për të gjithë pensionistët që nuk kanë tërhequr ende Bonusin e Fundvitit, afati i fundit për ta marrë është 30 Qershor 2025.
Qeveria ka vendosur që bonuset të jenë të përhershme dhe të diferencuara. Pra çdo vit pensionistët në vend do të marrin dy shpërblime, një në fundvit dhe tjetrin në pranverë, dhe do të jenë të diferencuar në varësi të pagesës së tyre mujore.
Aktualisht Ministria e Ekonomisë, e Financave, Instituti i Sigurime, AMF me mbështetje edhe të ndërkombëtarëve kanë nisur punën për të reformuar skemën e pensioneve me synim që të rritet vlera e pensionit mujor.
Komente
