5 persona janë vënë në pranga në 4 operacione të ndryshme të policisë për kultivim kanabisi dhe shpërndarja drogash të forta.
Një 26-vjeçar me iniciale E. Ç është arrestuar në Berat pasi gjatë kontrollit fizik në banesën e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.
Në Fier A. L., 27 vjeç nga Dukati Vlorë, u prangos pasi në lagjen "Sheq i Madh" Fier, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në çantën e krahut, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë e ndarë në doza gati për shitje dhe municion luftarak.
Në Memaliaj janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike dhe janë prangosur në flagrancë dy shtetas.
F. Sh., 54 vjeç dhe P. Sh., 62 vjeç, banues në fshatin Toç, Memaliaj, u prangosën pasi këta shtetas në bahçet e banesave të tyre kanë tentuar të kultivojë bimë narkotike, si dhe nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit F. Sh. u gjet një sasi lënde narkotike.
Në Mirëditë kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Prosek, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi N. K., 58 vjeç, banues në fshatin Prosek, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.