Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) u njoh të enjten më 19 shtator me parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe prokurores së Korçës, Anjeza Kalanxhi, lidhur me një kërkesë për procedimin disiplinor të saj.
Përfaqësuesja e ILD-së, prokurorja Lindita Ziguri, deklaroi para këshillit se hetimi disiplinor ndaj Kalanxhit ka nisur me iniciativë, pas ankesës së kësaj të fundit ndaj një vendimmarrjeje të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Sipas Zigurit, Kalanxhi e ka nënshkruar ankesën me pozicionin që mban si drejtuese e Seksionit të Posaçëm të Prokurorisë së Korçës. Përfaqësuesja e ILD vërejti se edhe pse Kalanxhi ka qenë në cilësinë e prokurores së çështjes për të cilën shtronte ankesën, e ka nënshkruar atë si drejtuese e Seksionit të Posaçëm.
Shkelja e dytë që pretendohet nga ana e ILD-së ka të bëjë me shoqërimin e shkresës me mbi 20 akte të dosjes hetimore, të cilat janë dërguar edhe pranë institucioneve të tjera, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe një ambasade të huaj në Tiranë, për të cilën u tha se ka mbështetur dhe mbështet institucionet e drejtësisë. Sipas ILD-së, dërgimi i akteve dëmton sekretin hetimor.
Në përfundim, përfaqësuesja e ILD-së pretendoi se prokurorja Kalanxhi ka nënshkruar shkresa pa pasur kompetencë, ka nxjerrë dhe dërguar të tretëve kopje të disa akteve pjesë të një dosjeje në proces hetimi, duke shpërfillur autoritetin e titullarit të prokurorisë, cënuar imazhin e zyrës së prokurorisë, ndërsa publikimi i akteve procedurale mbart rrezikun e ardhjes së pasojave në dëm të hetimit dhe, për rrjedhojë, humbjen e besimit të publikut te funksionimi i organit të akuzës.
Nisur nga fakti se kjo konsiderohet shkelja e parë e kryer nga Kalanxhi, si dhe se ajo ka vetëm dy vjet që ushtron funksionin e prokurores, rrethana që ILD i konsideroi si lehtësuese, u kërkua caktimi i masës disiplinore “vërejtje publike” ndaj saj.
Prokurorja Kalanxhi shpjegoi se gjithçka kishte ndodhur si pasojë e deklarimit nga ana e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore gjatë një seance caktimi mase sigurie ndaj tij, se një masë sigurimi e mëparshme që i ishte caktuar do t’i ndryshohej nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të nesërmen, duke e nxjerrë atë nga burgu. Ajo tha se kjo situatë e kishte indinjuar, megjithëse në interes të këshilltarëve që e pyetën, u përgjigj se nuk ishte ndjerë e intimiduar.
Kalanxhi iu përgjigj pyetjeve të disa prej këshilltarëve, duke shpjeguar se ambasadës së një shteti të huaj në Tiranë ia kishte dërguar një kopje të kësaj shkrese, pasi kjo përfaqësi e huaj u ka qëndruar gjithmonë pranë dhe i ka mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Lidhur me nxjerrjen e sekretit hetimor, ajo deklaroi se nuk kishte një vendim të gjykatës për ndalimin e publikimit të akteve që kishin të bënin me caktimin e masës së sigurisë. Kalanxhi argumentoi se këto akte u ishin njohur palëve dhe se ishin kopje të atyre që ishin dërguar në gjykatë.
Në përfundim ajo e cilësoi jo objektive dhe jo proporcionale kërkesën e ILD-së dhe kërkoi që të mos i jepet masë disiplinore.
KLP vendosi që të shtyjë seancën për marrjen e vendimit për më datë 2 tetor, në orën 10:00./Reporter
Komente
