Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka nisur një hetim disiplinor në ngarkim të Anjeza Kalanxhi, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Hetimi konsiston në “shkelje të dispozitave, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave/prokurorisë dhe shkelje të rregullave të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit që rezulton nga hetimi ose gjykimi, në proces ose i përfunduar”.
Referuar hetimeve, Anjeza Kalanxhi ka shpërndarë informacione konfidenciale nga dosjet hetimore nën shqyrtimin e saj, ka dhënë informacion në dijeni, shoqëruar me mbi 20 akte pjesë të dosjes, tek disa institucione brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë.
Ndër të tjera, Kalanxhi ka nënshkruar shkresa pa pasur kompetencë si dhe ka dërguar kopje tek palë të treta nga dosje në proces hetimi. Këto e të tjera kanë cënuar imazhin e zyrës së prokurorisë, dëmtojmë procesin e hetimit si dhe besimin tek publiku ndaj institucioneve të drejtësisë.
Nga raporti i hetimit disiplinor rezulton se:
• Gjatë një procesi ankimi/informimi, edhe pse në cilësinë e prokurores së çështjes, A.K. ka nënshkruar si Drejtuese e Seksionit të Posaçëm dhe dërguar informacion për dijeni, shoqëruar me mbi 20 akte pjesë të dosjes, tek disa institucione brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë, veprime që konsiderohen shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronja “j” dhe shkronja “g” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar
• Prokurorja ka nënshkruar shkresa pa pasur kompetencë, nxjerrë dhe dërguar të tretëve kopjeje të disa akteve, pjesë të dosjes së një çështjeje në proces hetimi, duke shpërfillur autoritetin e titullarit të prokurorisë, cënuar imazhin e zyrës së prokurorisë, teksa publikimi i akteve procedurale mbart rrezikun e ardhjes së pasojave në dëm të hetimit dhe për rrjedhojë humbjen e besimit të publikut për funksionimin e Prokurorisë sipas ligjit dhe jo dëshirës së magjistratit.
• Ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon mes të tjerash se: 1- Prokurorët dhe gjithë personeli i prokurorisë, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si edhe pas përfundimit të saj, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin dhe sekretin shtetëror për fakte për të cilat vijnë në dijeni, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe. 2- Prokurorisë nuk i lejohet të bëjë publike ose t’u japë personave të tretë të dhëna që dëmtojnë çështjen në proces hetimi apo gjykimi, që cënojnë dinjitetin dhe jetën private të personave, të drejtat e të miturve, si dhe të dhëna me karakter konfidencial ose të rezervuar. 3 – Prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera.
“Raporti hetimor konkludon se duke mbajtur në konsideratë natyrën e shkeljes disiplinore; ekzistencën e rrethanës lehtësuese, lidhur me shkeljen për herë të parë; përvojën 2 vjeçare në funksionin e prokurores; cënimin e imazhit të prokurorisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates përbëjnë “Shkelje disiplinore e lehtë”, sipas nenit 102 pika 1 shkronjat “g” dhe “j” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ILD i propozon KLP-së caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj znj. A.K. prokurore e Prokurorisë e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, thuhet në njoftim.
Komente
