Në shërbimin e pediatrisë infektive nuk ka më asnjë shtrat bosh. Të 35 shtretërit ekzistues janë mbushur me fëmijë, të cilët me ardhjen e stinës së ftohtë janë prekur me viruese respiratore.Ajo që shqetëson shefen e shërbimit të Pediatrisë Gjeorgjina Kuli, është një virus që po prek në masë foshnjat 0-6 muajsh.
“Momentalisht janë të gjitha viruset që prekin rrugët e frymëmarrjes siç janë rinoviruset, parainflueca, kemi patur dhe raste të virusit të influencës ose të gripit, gjë që në vite të tjera ose kur ka qenë shumë e ulët në pandemi ose ka filluar goxha në kohë. Ky ndryshimi i sëmundshmërisë me virozat e tjera ka modifikuar dhe epidemiologjinë e sëmundjeve repiratore dhe do të veçoja një virus shumë të rëndësishëm që është virus respirartor Sincitial, pra është një virus që prek rrugët e frymëmarrjes sidomos të fëmijëve të vegjël 0-6 muaj, pra ai prek gjithë grumpmoshat por është i rrezikshëm për këtë grupmoshë sepse mund të japi vështirësi të shumta në frymëmarrje dhe mosfurnizim të bollshëm të organizmit me oksigjen”.- u shpreh mjekja Gjeorgjina Kuli, shefe e shërbimit pediatrik në QSUT.
Përveç kësaj grupmoshe, Kuli thotë se moshat e vogla parashkollore dhe shkollore janë ata që shfaqin klinikë më të rëndë.
“Sigurisht që moshat e vogla janë ata që paraqiten më shumë në urgjencë, por nuk mund të them që këto viruse nuk janë të përhapura dhe tek parashkollorët dhe shkollore, por sigurisht kuadri klinik është më i ulët dhe prindërit nuk referohen tek urgjenca”.- tha Kuli.
Kujdes i shtuar në higjienë dhe kontrolle periodike, është këshilla që u jep shefja e shërbimit pediatrik, prindërve.
Aktualisht në pediatrinë infektive nuk ka asnjë fëmijë të prekur nga Covid-19, por mjekët pediatër apelojnë për ruajtjen e vigjilencës ndaj sëmundjeve infektive.