FIER- Një pus nafte ka shpërthyer në flakë në Rafineritë e Ballshit dhe si pasojë ka mbetur i plagosur një punëtor. Për momentin ai është në spitalin e Fierit nën mbikqyrjen e mjekëve. Ndërkohë që mendohet se mund të dërgojë për në Tiranë për mjekim të specializuar.
Ende nuk janë qartësuar rrethanat në të cilat ka ndodhur shpërthimi. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Kashit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer në një stacion pompimi të naftës. Punëtori i plagosur është V. B, 50-vjeç, punonjës i kompanisë 'Anio Oil'.
"Sot rreth orës 07:30, në vendin e quajtur "Qafa e Kashit", në një firmë private nafte, gjatë procesit të punës, në tubacionin e furnizimit ka marrë flakë në sipërfaqe një depo e dekantimit të naftës. Për pasojë ka marrë djegie sipërfaqësore një punëtor i kësaj kompanie, shtetasi V. B., rreth 50 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", thuhet në njoftimin e policisë.