LEZHË- Një 67-vjeçare ka marrë plagë të rënda si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:25, në fshatin Troshan të Lezhës.
Report Tv mëson se Gjyste Luka kishte ndezur sobën për të gatuar, por ajo ka shpërthyer. Bombolën e kishte montuar një ditë më parë, teksa mësohet se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fytyrë është dërguar me urgjencë drejt QSUT-së në Tiranë.
Kryefamiljari, Marku, ka treguar gjithçka se si ka ndodhur ngjarja. Çifti ishte kthyer para 2 ditësh nga SHBA-ja.
“Sapo erdha nga Amerika, shkova për të blerë ilaçet, për të blerë taksa e drita, lidha bombolën, e provova me shkrepëse. Në mëngjes, kur u zgjua erdhi për të pirë ilaçet, për të ndezur gazin, unë isha në verandë, kur dëgjova një shpërthim, e tundi, gruaja më thirri “o Mark”, ajo erdhi vetë, pashë gjithçka, kishte djegie në fytyrë, lajmërova ambulancë, bombola ka qenë gjysmë e mbushur, e pata mbyllur dhe u largova para 1 muaji. S’e kisha menduar që do bënte kaq shumë dëm. Shtëpia është ndërtuar në 2019, kur u bë dasma e djalit”, tha Marku.
Një prej banorëve tregon se shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, aq sa e krahasoi edhe me Gërdecin.
“I barabartë me shpërthimin e Gërdecit, aq shumë e kemi dëgjuar. Kam qenë 1 km larg, e pabesueshme kjo gjë”, tha banori.
Report TV sjell pamjet nga vendi i ngjarjes, ku siç shikohet banesa ka pësuar dëme të shumta materiale, ndërsa policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Gjithe ai shperthim nuk e ka ndjere eren e gazit brenda ne kuzhine qe demtoi vehten
Përgjigju