MALIQ- Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të diele në fshatin Caushli të Maliqit. Sipas informacioneve paraprake nga policia bëhet e ditur se një fermer është plagosur gjatë punës që po kryente në tokën e tij.
Fermeri ka qenë duke punuar tokën me një mjet bujqësor tip frezë, ka rënë në kontakt me një mjet shpërthyes që dyshohet granatë e vjetër. 39-vjeçari i plagosur Hergert Spahiu, është transportuar drejt spitalit dhe ka marrë dëmtime në dorë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Për mikrofonin e Report Tv, dëshmitarët që i dhanë ndihmën e parë tregojnë se shpërthimi ishte shumë i fortë dhe se i riu u transportua në spital në gjendje të rëndë. Sipas rrëfimeve të banorëve, kjo nuk është hera e parë që në këtë zonë ka shpërthyer një granatë e cila ka qenë e groposur.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes tregojnë se shpërthimi i granatës, ku mbeti i plagosur Hergert Spahiu, ishte shumë i fuqishëm. Gjendja e të riut, kanë treguar ata ishte shumë e rëndë, teksa i dhanë ndihmën e parë me aq sa mundej.
"Ai plugonte ai, ne po mblidhnin arat, ai po punonte me frezë dhe pastaj plasi. Kur e pamë ne shkuam e ndihmuam, shpërthimi ishte i fuqishëm, ishte dëmtuar në dorë, nga këmbët ishte bërë gjak, ishte bërë shumë keq. E ndihmuam dhe e çuam deri te makina", tha një dëshmitar.
"Ne punonim me atë matanë, me këtë djalin, kur dëgjuam shpërthimin, ishte i fuqishëm shumë, po punonte bashkë me të shoqen, por vinte me të shoqen, ishte bërë për ibret, i kishte rënë si gjendje të fikti, i kishte ikur gjuha brenda, ka shpërthyer më parë në këtë vend", tha një tjetër.