Tronditet nga tritoli qyteti i Elbasanit. Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të dielë në lagjen "Haxhias" të këtij qyteti, ku në korridorin e katit të 4-t të një pallati në derën e hyrjes në pronësi një 59 vjeçari, ka shpërthyer një sasi tritoli. Në apartamentin ku jetonin me qira dy vajza, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ajo që e bën më të rëndë ngjarjen është fakti se nga ky shpërthim është dëmtuar aksidentalisht nga dera e dhomës së tij 26-vjeçari Enea Themollari i cili banonte në hyrjen përballë. Me lot në sy babai i të riut Artur Thomaraj tregon se në momentin e shpërthimit i biri ishte ngritur për të shkuar në tualet teksa nga forca e shpërthimit dera i ka rënë në kokë.
‘Në hyrjen përballë jeton një grua me vajzën e saj 9 vjeçe. Djalit i ra dera në kokë teksa po shkonte në tualet, dua të gjenden autorët. Gruan që jetonte përballë me qira i flisnim si fqinje, nuk e njohim!’- tha Artur Thomaraj babai i të plagosurit.
Ndërkaq edhe fqinjët e tjerë flasin me shqetësim për shpërthimin e ndodhur në pallat, ku shprehen të tronditur për ngjarjen e ndodhur.
‘Shpërthimi na tronditi të gjithëve!’- tha një fqinje.
Lidhur me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, me synim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.