Shtëpinë nuk ia ka dëmtuar tërmeti, por shpërthimet e fuqishme nga gurorja në Borizanë. Banorët e një banese aty pranë kanë lejuar grupin e xhirimit të Report Tv të shohë nga afër plasaritjet dhe dëmet që ishin shkaktuar nga punimet e 3 muajve të fundit.
“Është plasur shtëpia kudo”, thotë Selman Xaka, i cili ka punuar vite më parë si minator ka rrëfyer që shpërthimet i bënin të pakontrolluara. Sipas tij, atje vepronin sipas oreksit të vet. Para 3 muajsh bënin cdo ditë ndërsa javët e fundit kishte shpërthime çdo 3-4 ditë, veprime që i cilëson si ‘terrorizuese’.
Për të mos u mjaftuar me kaq, Xaka shprehet se përdornin lëndë të palejueshme si nitrati, të cilin e përzienin me dinamit që të nxirrnin sa më shumë masiv guri.
“Sa është filluar gurorja këtu, fillimisht kanë bërë shpërthime shumë të forta se donin të nxirrnin sa më shumë masiv guri. U ngritëm 2-3 herë në protestë atje, mbrapa filluan duke i ulur. Më pas nisën sërish. Kam punuar vetë minator. Kur bëhen plasjet, izolohet vendi, nxirren 2 roje e thuhet që ka plasje. Këta i bëjnë pa treguar, sipas oreksit të vet. Një herë në 3-4 ditë ka pasur shpërthime. Para 3 muajsh bënin përditë dhe faktikisht kur ka ardhur personi, ka thënë do e bëj gurorin pas mali. Por ai e hapi këtu. Kemi dalë në gurore, ka ardhur eksperti i policisë këtu, i ka filmuar dhe kanë shkuar në prokurori. Aq kemi qenë, 40 shtëpi. Tani u bë cfarë u bë.
Kanë përdorur nitrat. I kemi gjetur ne atje 120 thasë nitrati. Përdorin nitrat e dinamit bashkë. Nitrati nuk është e lejueshme. Ka lëndën e vet shpërthimi. Këto sjellin thaës nitrati, e përziejnë me dinamitin e ka forcë shpërthyese e dëmton. Na kanë terrorizuar. Ne mezi sajojmë lekë për një thes miell le të më të bëjmë shtëpi”, tha Xaka.
Dhunën e fisit Rraja ndaj 2 kushërinjve Maja e cilëson të gabuar dhe sugjeron që gurorja të hapet në Malësi ku nuk ka banorë dhe nuk i shkaktojnë askujt probleme.
“Gabimi i tyre. 10 burra me 2 vetë. I rrahur je. Pastaj nuk zgjidhet gjë me rrahje. Ashtu e ka menduar. Ishalla rregullohen. E mira është të mbyllet gurorja, ta hapin atje në Malësi”, tha Xaka.
Sa i përket vendimit për bllokimin e punës në gurore pas ngjarjes që tronditi opinionin publik, Xaka uron që të mbajnë fjalën e të mos lejojnë më punimet.
“Ishalla nuk hyjnë më në punë. Janë shumë probleme. Sonda ka zhurmën e vet, dinamiti zhurmën e vet, pluhuri ndikon, kamionat po”, tha Xaka.
Bashkëshortja e tij, Lirije Xaka, e cila i hapi dyert e shtëpisë për grupin e xhirimit të Report Tv u shpreh se shpërthimet në gurore kanë shkaktuar edhe papastërti në ujë.
“Na ka ardhur uji i turbullt nga gurra ku mbushim ujë. U ngritëm në grevë dhe ata që janë rrahur shumë gabim, nuk bëhet ashtu. Ishalla nuk ka gjë me vdekje. Nga pluhuri këtu nuk nder as rroba, zhurmë po, edhe dinamit”, tha ajo.
Për t’u kthyer në ditët kur protestonin për shpërthimet në gurore, Selman Xaka rrëfen se kryetari i degës i kishte thënë se plasjet do të bëheshin me ekspert policie, të cilët u paraqitën 2 herët e para dhe jo më. Po ashtu, kryetari i degës i kishte sugjeruar që të mos përplaseshin me personat që kishin guroren me pretendimin se kanë licensë për ushtrim aktiviteti por të kërkonin drejtësi para Bashkisë.
Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.
Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.
Ne kete vend paraja vlen mbi njeriun. Masakrojne fshatin me zhurma dhe rrahin njerzit. Shteti hesht, deputeti, policia dhe komuna. Tu mbyllet aktiviteti dhe te mos u jepet me licensa.
Përgjigju