ITALI- Nuk ka fund tragjedia për familjen Gjoka, pas shpërthimit të bombolës në hotelin në Velipojë. Ka ndërruar jetë në Itali si pasojë e plagëve të marra edhe vajza e dytë e familjes Gjoka nga Gajushi i Leshës.
Pavarësisht trajtimit mjekësor, Klarisa Gjoka vetëm 15 vjeçe nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve të marra nga djegia që kishte pësuar. Disa ditë me parë gjeti vdekjen dhe motra e saj Daniela Gjoka 19-vjeçe, e cila sot është përcjellë sot në banesën e fundit.
Ndërkohë që nëna e tre fëmijëve, Alketa Gjoka është në gjendje të rëndë në Itali dhe po lufton me jetën. Sakaq gjendja e djalit 12-vjeçar është përmirësuar dhe ka kaluar gjendjen kritike për jetën.
Daniela Gjoka dhe Klarisa Gjoka ndërruan jetë në një spital në Itali pasi u dërguan atje për mjekim të specializuar së bashku me nënën e saj dhe vëllain 12 vjeç. Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua mëngjesin e 4 korrikut në hotelin e familjes Gjoka në Velipojë, ku mbetën të plagosur Klarisa Gjika 15 vjeç, Danjela Gjoka 19 vjeç, Enriko Gjoka 12 vjeç dhe Alketa Gjoka 40 vjeç.
Për këtë ngjarje është arrestuar Petrit Mollja, tregtar gazi, sepse dyshohet se ai i shiti gazin familjes Gjoka në Velipojë. Policia bëri me dije se Mollaj, 46-vjeç, banues në Shkodër, tregtonte gaz në kundërshtim me ligjin, ndërsa një ditë pas ngjarjes në Velipojë, atij iu bllokua aktiviteti. Megjithatë, ai shkeli masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore. Mollja akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.
Daniela Gjoka, motra e madhe që ndërroi jetë pak ditë më parë dhe vendi i ngjarjes
Klarisa Gjoka
Report Tv ka siguruar foto të 15-vjeçares Klarisa Gjokës, e cila ndërroi jetë në Itali, vetëm pak ditë pas vdekjes së motrës së saj Danjela Gjoka. 15-vjeçarja Klarisa Gjoka, u dërgua, bashkë më motrën, mamanë dhe vëllain, në Itali për mjekim më të specializuar pas shpërthimit të bombolës së gazit në Velipojë.