Në një restorant në lagjen “The village” në Ferizaj ka ndodhur një shpërthim i një bombole gazi, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur 44 persona.
Major Qazim Reka, në një telefonatë për Report TV, ka konfirmuar se numri i të lënduarve ka shkuar në 54. Ata kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe në mesin e tyre janë edhe dy fëmijë.
Brenda restorantit dyshohet se ka shpërthyer një bombolë e gazit, ku përveç dhjetëra të lënduarve janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.
Ndërkohë që për mediat vendase Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri tha se 4 prej pacientëve të cilët janë dërguar në QKUK janë në gjendje më të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve.
“24 pacientë kanë ardhur në spital për shkak të shpërthimit të një bombole. 8 prej tyre janë dërguar në QKUK me djegie të shkallës së lartë, 4 prej tyre në bazë të ekzaminimit janë shumë të rrezikuar për jete, ndërsa 12 pacientë janë duke u trajtuar në spital. Ne jemi mobilizuar menjëherë për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai.
Ky është momenti i shpërthimit të bombolës së gazit në një restorant në Ferizaj pasditen e sotme.
Mediat kosovare kanë publikuar pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të bizneseve rreth e rrotull të momentit të shpërthimit.
Nga pamjet, shihen dhe qytetarët të cilët dalin jashtë pas shpërthimit.
Pas shpërthimit të një bombole gazi në një restorant në Ferizaj, kryetari i këtij qyteti, Agim Aliu ka vizituar disa nga pacientët e shtruar në spital që mbetën të plagosur.
Ai ka publikuar disa foto teksa takon pacientët e shtrirë në spital ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Shumë prej tyre shihen të fashuar për shkak të plagëve që kanë marrë në trup.
Në një status në profilin e tij në Faceook, kryetari i Ferizajt shkruan se pamjet janë të tmerrshme, por që uron të mos ketë asnjë viktimë nga kjo ngjarje.