KOSOVA- Dy ditë më parë në një restorant në lagjen “The village” në Ferizaj, në Kosovë ka ndodhur një shpërthim i një bombolës gazi, si pasojë e të cilit kanë mbetur shumë të lënduar.
Ministri i shëndetësisë së Kosovës Armend Zemaj, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook mëngjesin e sotëm, ka dhënë lajmin se 2 prej të lënduarve nga shpërthimi i bombolës janë nisur drejt Turqisë, për një trajtim më të mirë.
Zemaj ka shtuar se edhe 2 të tjerë janë në pritje të nisjes.
Ai në postimin e tij, nuk ka lënë pa falënderuar edhe ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Sakar, i cili i ka ardhur në ndihmë personave të lënduar me djegie të shkalles së lartë.
Në fund ai ka siguruar se pacientët e tjerë të lënduar nga shpërthimi i gazit, po marrin trajtim nga institucionet shëndetësore dhe profesionistët më të mirë që ka vendi, duke punuar për më të mirën.
Shpërthimi ndodhi 2 ditë më parë, në një restorant në Ferizaj të Kosovës, ku ka lënë pas mbi 50 të lënduar mes tyre edhe dy fëmijë. Pavarësisht një pjesë e të lënduarve janë në gjendje të rëndë, pasi kanë marrë djegie të shkallës së dytë edhe të tretë, fatmirësisht ende nuk është raportuar asnjë viktimë, nga shpërthimi.