Nga Elbasani Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherëzi drejtuesi politik i kësaj force politike në Qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri ka komentuar deklaratat e fundit të Presidentit Meta, në kudër të përplasjes së tij me kreun e PD, Lulzim Basha. Gjiknuri përplasjet e Metës me Bashën i quan si përcaktimin e të ardhmes së tij politike.
“Nuk e kam ndjekur çfarë ka thënë presidenti, por nuk është se pres ndonjë gjë të re. Presidenti është një aktor i deklaruar politik, po përcakton të ardhmen e tij të re politikë në dinamikën që po zhvillohet brenda opozitës,” u shpreh Gjiknuri.
Mjaftoi një sulm i kryedemokratit Basha i cili përfshiu Metën në trekëndëshin e Bermudës, bashkë me Ramën dhe me Berishën, që presidenti të shpërthente në sulme të ashpra kundrejt kryeopozitarit dhe të zbulonte se ai i kishte kërkuar në Gjermani që të anulonte zgjedhjet lokale.
Siç e përshkruan Meta, Basha i është përgjëruar e madje me lot në sy që presidentui të nxirrte një dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e të vendoste një datë tjetër. Kjo lutje e Bashës, vinte pasi ai kishte thirrur një protestë me datën 8 qershor, e cila sipas informacioneve, mund të përshkallëzonte në dhunë, pasi vetë kryetari i opozitës i cili i kishte thirrur në shesh nuk do të mund t'i kontrollonte, dhe do të bëhej përgjegjës për dhunën që mund të ndodhte.