Hedhja në erë e automjetit “Audi Q7”, mëngjesin e së martës në Kamëz, ende nuk ka një autor të dyshuar nga policia. Për herë të fundit, mjeti luksoz kishte qenë në një servis pranë zonës ku banonte pronari i saj, Artan Lleshi. Për të verifikuar të gjitha pistat ku është vendosur sasia e lëndës plasëse në automjet, hetuesit po punojnë me këqyrjen e kamerave të sigurisë pranë servisit dhe në zonën përreth vendit të ngjarjes në bulevardin “Nënë Tereza”.
Dyshimet kryesore, në bazë të analizave të bëra, e kanë çuar grupin hetimor drejt pistës se lënda plasëse është vendosur gjatë asaj nate në vendin ku ishte e parkuar makina në vendngjarje. Sasia e tritolit ishte e vendosur mbi gomën e parë, në krahun e pasagjerit, ndërsa makina, si pasojë e shpërthimit ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Makina rezulton të jetë në pronësi të bashkëshortes së 38-vjeçarit Artan Lleshi, por ishte në përdorim nga vetë ai. Lleshi ka përjashtuar çdo mundësi të konflikteve të tij personale që mund të lidhen me ngjarjen, ndërsa e lidh atë vetëm me dyshimet për një ngjarje të ndodhur 22 vite më parë, kur xhaxhai i tij Mark Lleshi vrau një person.
Por hetuesit, përveç pistës së hakmarrjes, i kanë shtrirë hetimet edhe për konfliktet e mundshme për mashtrim me shqiptarë të tjerë kur ai jetonte në Angli. Për hetuesit shpërthimi i lëndës plasëse dyshohet të ketë qenë mesazh për Lleshin.