TIRANË- Leonard Gjini, biznesmeni i ngarkuar për të ndërtuar kapanonin e deputetit të PS, Bujar Çela në Lushnjë, ku pas një shpërthimi më 1 mars u vranë 2 persona dhe u plagosën 7 të tjerë, është liruar nga burgu.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tij dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të sipërmarrësit 32-vjeçar të firmës “Gjini Construksion” që më 27 nëntor kishte lidhur kontratë me deputetin Çela për ndërtimin e magazinës me vlerë prej rreth 18 milionë lekësh dhe akuzohet se nuk ka respektuar rregullat e mbrojtjes në punë, por që në fakt vetë Gjini në dëshmi thoshte se në kapanon ende nuk kishte shkuar asnjë punonjës të tij.
Pasi Gjykata dhe Prokuroria e Fierit shpallën moskompetencë për shkak të akuzës së ngritur ndaj deputetit Çela, GJKKO rivlerësoi masat këtë të hënë (18 mars), ndërsa përveç lirimit të Gjinit konfirmoi pezullimin nga detyra të kryeinspektorit dhe 4 inspektorëve të IMT Lushnjë si dhe një inspektori të rajonit nr 5 Bashkia Lushnjë.
SPAK ende nuk ka një akuzë të ngritur zyrtarisht ndaj deputetit socialist Çela, për të cilin Report Tv mëson se ka një javë që ka lënë spitalin ku u shtrua pas plagosjes në shpërthimin e 1 marsit. Deputeti Çela është pa masë sigurie, ndërsa organit të akuzës do t’i duhet leja e Kuvendit nëse do të kërkojë arrestin për të.
Prokuroria e Fierit ngriti pretendimet për elementë të veprës penale për 3 akuza ndaj ligjvënësit socialist si ndërtim pa leje, shkelje e rregullave në punë dhe shkatërrim i pronës nga pakujdesia. Nga hetimet e deritanishme shpërthimi erdhi nga një avari gjatë procesit të punës që kryenin viktimat babë e bir Roland dhe Elidon Hoxhës, për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me acetilenin.
1-Leonard Gjini, ndërtues
1-Robert Kola kryeinspektori i IMT Lushnjë
2- Miklovan Petro jurist i IMT Lushnjë
3- Eugert Sina inspektor i IMT Lushnjë
4- Kudret Sula inspektor i IMT Lushnjë
5- Ilmi Uku inspektor i rajonit nr 5 Bashkia Lushnjë