Shpëtim Idrizi nën një ‘çati’ me Dulen akuzon Ramën si pro-grek! ‘Piruetat’ politike në 10 vite dhe loja me çështjen çame

8 Shkurt 2021, 20:07| Përditesimi: 8 Shkurt 2021, 20:14

  • Share

Kryeministri Edi Rama ironizoi dhe shigjetoi dje nga Saranda kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizin dhe kreu e PDBDNJ-së Vangjel Dulen. Dy ‘armiqtë’ e përbetuar kanë bërë një kapërcim befasues, duke u bashkuar në një koalicion parazgjedhor, madje janë pjesë e së njëjtës listës kandidatësh për deputetë, nën ‘çadrën’ e Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Rama u dha një mesazh të qartë komunitetit çam dhe grek, duke pohuar se “Nga kush do ta mbrojë detin dhe çështjen çame Shpëtimi i doganës, që ishte Shpëtymi i doganës? Nga kush, nga kush? E kam për të gjithë çamët e zonës. Sa i përket minoritet grek nuk besoj se ka ndonjë forcë tjetër politike apo qeveri tjetër që ka bërë më shumë për minoritetin grek”.

Pas deklaratave të Ramës, sot reagoi ashpër Shpëtim Idrizi. Kryefjala e akuzave të Idrizit ishte se sipas tij, Rama bën avokaturën e Greqisë, është pro-grek, ka tradhtuar çështjen çame, nuk po kundërshton zgjerimin e Greqisë në det etj. “Rilindasi Edvin Rama dje në Sarandë, si “cjapi që po i vjen ngordhja”, e lëshoi gojën për të gjithë ata që publikisht kanë qenë të shqetësuar nga piruetat e tij të rrezikshme me Greqinë. Një nga ata që u anatemuan se kishin shqetësuar kot dynjanë dhe “faraonin” për zgjerimin nga 6 në 12 milje të detit territorial grek në drejtim të Jonit dhe Shqipërisë, isha dhe unë. “Faraoni” që nuk skuqet kur i bën avokatinë Greqisë...”, shkruan Idrizi.

Kreu i PDIU-së i artikulon këto akuza në një pozicion tejet të vështirë, madje komprometues për kauzën e çështjes çame, duke qenë bashkë me Vangjel Dulen nën ‘çatinë’ e PD-së. Idrizi pretendon se Lulzim Basha ka pranuar një marrëveshje për adresimin e çështjes çame, gjë të cilën e ka përsëritur disa herë gjatë 10 viteve të fundit. Zbatimi i një marrëveshje të tillë, nëse ekziston dhe gjithnjë nëse opozita do të vijë një ditë në pushtet, duket një sfidë e vështirë për t’u zbatuar nga një koalicion, ku bën pjesë edhe Vangjel Dule. Ky i fundit nuk e njeh çështjen çame dhe rrjedhimisht do të punojë kundër saj.

Kur është pyetur për çështjen çame, Dule ka pohuar se “Për çfarë kauze e keni fjalën? Historia nuk ribëhet, nuk negociohet dhe nuk parashkruhet. Status quo-ja në Evropën e sotme është produkt i vendimeve të forcave të mëdha ftuese të Luftës së II Botërore ku fatet e secilit shtet, popull, apo individ u vendosën me kriter qëndrimin e mbajtur në ato momente…”

Ndërsa Shpëtim Idrizi është shprehur për Dulen se “Pa dashje ky Zerv-ist i kohëve moderne ka nxjerr në pah atë, që i vlon në mendje dhe zemër, urrejtjen gjakësore ndaj shqiptarëve të Çamërisë.. Ky individ dashakeq e fobik, ndaj gjithë atyre që nuk i përkasin frymës shoviniste të nacionalizmit të huaj, veçanërisht i errësuar nga urrejtja ndaj popullsisë çame, na kujton dhe njëherë të gjithëve që duhet të punojmë për t’i dhënë historisë atë çka meriton. Çështja çame do zgjidhet në përputhje me të gjitha konventat për respektimin e të drejtave te njeriut, do apo nuk do pinjolli i lig i Napoleon Zervës”.

Qëndrimet skajshmërisht të kundërta dhe urrejtja e kuptueshme mes tyre, të bëjnë të besosh se Idrizi dhe Dule janë bashkuar nën një çati jo për të mbrojtur kauzat e tyre, por për interesa pushteti. Ndërkaq, në vitin 2015, Idrizi i vlerësonte Edi Ramën si kryeministri i parë që kishte futur në programin qeverisës çështjen çame. Ky qëndrim me nota kaq pozitive dhe entuziaste vënë në dyshim deklaratat e fundit.

Disa nga ‘piruetat’ politike të Idrizit në 10 vite

1. Idrizi në vitin 2011 kur bashkohej me Berishën: "Sot ne kemi bërë shumë hapa në drejtim të zgjidhjes së çështjes çame. Ne sot po i afrohemi pushtetit, jo si shtyllë mbajtëse e ndonjë koalicioni, por duke e parë pushtetin si mjet për qëllimet tona. Ne kemi nevojë për pushtetin dhe na duhen kapacitet të mira në arkiva dhe në diasporë".

2. Idrizi në 2012, kur Meta gjoja mbronte çështjen çame: "Përsa u përket aleancave, ne nuk përjashtojmë ndonjë aleancë të mundshme të të gjitha forcave politike që do t’i bashkohen kauzës sonë, rezolutës për çështjen çame, që është një monument kruçial dhe një vijë demarkacioni e qartë se me kë do të bëjmë ne aleancë”.

3. Idrizi në 2014 afrohet me Ramën: "Ne kemi pozicionin tonë. E kemi deklaruar këtë pozicion. Jemi të detyruar të bashkëpunojmë me mazhorancën për shkak të kauzës tonë. Kemi nevojë të kemi dakordësinë për çështjen e rezolutës. Por, sa për çështjen e opozitës, ne nuk mund te jemi të njësuar me PD. Unë e kam takuar z. Rama në dy aktivitete, kemi pirë kafe dhe kemi diskutuar për disa gjëra. Mos kujtoni se kemi një mazhorancë filantrope, që fton çdo parti opozitare dhe i ofron dy-tre ministra. Ne votat i kemi marrë vetë. Deputetë jemi bërë vetë. PDIU nuk i ka borxh akujt. Çështja çame kërkon një bashkëpunim të dyja forcave politike. Për këtë çështje ne jemi më pranë mazhorancave".

4. Idrizi në 2015: “Kryeministri Rama i ka dhënë shenjat dhe besoj se është një fillim dinjitoz i kryeministrit të Shqipërisë, i cili është kryeministri i të gjithë shqiptarëve, dhe atyre që e kanë votuar apo jo. Është hera e parë që në programin e qeverisë , flitet për punën që duhet të bëjë kjo qeveri për të jetësuar të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë në bazë të konventës ndërkombëtare”.

5. Idrizi në 2015: "Në projektligjin që kam depozituar me znj. Doda është parashikuar pos të tjerave dhe heqja e titullit Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste, për Enver Hoxhën. Do diskutohen të dyja bashkë në Komisionin e Ligjeve, me hapjen e sesionit të ri më 18 Janar. Është pranuar shqyrtimi i projektligjit”.

6. Idrizi në 2016 i drejtohet Ramës: "Jemi pjesë e aleancës në pushtet por nuk kemi ushtruar asnjëherë pushtet. Keni mbështetjen tonë në qeverisje. Në tre Bashki që na u dha mundësia ne fituam ja dolëm, ja ku i ke zonja e zotërinj që mund të rrisin peshën e qeverisjes  mos më thuaj pastaj që s'të thash".

7. Idrizi në 2016 (i pakënaqur): Qëllimi ynë është padyshim që të qëndrojmë në këtë bashkëqeverisje për të përçuar kauzat dhe interesat tona, mirëpo nëse ne nuk na duan atëherë ne nuk kemi më dilema. Përpara kauzave ne nuk vendosim asgjë”.

8. Idrizi në 2017: "Ssot nga kjo tribunë propozoj: Paktin Kombëtar të Bashkimit. Ky pakt ka vetëm dy pika: Reforma në Drejtësi; Integrimi në Europë. Kjo është oferta që kemi. Për këtë ulemi në tryezën e bisedimeve me këdo dhe kudo. Shqipëria është e para. Atdheu është i pari. Të tjerat janë të dytat. Ne që duam Shqipërinë, propozojmë këtë Pakt Kombëtar të Bashkimit!".

9. Idrizi në 2018: "Në kushtet kur kjo mazhorancë e ka marrë të gjithë tepsinë për vete dhe deklaron se do të hyjë e vetme në zgjedhje, e në kushtet që për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë kemi ndryshim 180 gradë të qëndrimit të kësaj mazhorance dhe të Edi Ramës, në mbledhjen e para dy ditëve të Kryesisë së PDIU-së vendosëm mbledhjen e Këshillit Kombëtar sot për të diskutuar për kalimin në opozitën zyrtare dhe mundësitë e negociatave me Partinë Demokratike, për t’u rreshtuar në këto zgjedhje me koalicionin opozitar".

10. Idrizi në 2019 rikthehet te PD: "Ne kemi një marrëveshje me PD-në por cdo forcë politike dhe grupim ka të drejtën e vet të japë kontributin e vet në zgjidhjen e krizës. Nuk kemi pasur nevojë, përveç aleancës me PD-në të potencojmë apo të kemi mundësira të tjera të bëhemi pjesë e opozitës së bashkuar".

11. Idrizi në 2021: "Kjo na detyroi, duke kuptuar që koalicionet janë të domosdoshme, që ne të bënim një koalicion me Partinë Demokratike. Edhe aty çdo gjë fillon dhe mbaron me Çështjen Çame. Me një ndryshim. Me një ndryshim formal, jo të vogël për mua. Ky është i vetmi dokument i cili në 10 vjet si kryetar i PDIU-së (shfaq dokumentin) ka firmosur një kryetar i një partie politike me PDIU-në (e ka fjalën për Bashën). As z. Berisha, për dy vjet që ne e kemi mbështet, nuk firmosi një marrëveshje me PDIU-në. Edhe z. Rama, nuk firmosi…"

Komento

Komente

  • Iris: 09/02/2021 02:00

    Le te themi te verteten dhe boll me iluzione! Ceshtja came ka per tu zgjidhur sac eshte zgjidhur ceshtja Armeni-Turqi.Si turqit,si grekerit kane te njejten pergjigje :njeri thote- nuk ka bere masakra;tjetri thote- nuk ka bere as masakra,as ka vjedhur toka,bile nuk ekziston as si emer Cameria,as si vend.Por Rama ben mire qe i ngacmon hera-heres.Tani duhet ndryshuar taktike qe te rimerrni pronat ne Cameri.Historia e krijimit te shtetit te Izraelit dhe si arriti<< te binde>> Perendimin, mund t'ju ndihmoje ne te kuptuarit se si eshte bere /realpolitika/ ne historine e kombeve e shteteve.Mund te mesojne dhe camet nga kjo.

    Përgjigju
  • Loni: 09/02/2021 00:24

    Sinqerisht këta lloj tipash ja legjitimojn mandatin e 3 dhe 4 Ramës ,dhe madje pa asnje program thjesht me tallje rtje.Bo qef nga që opozita esht skandal .Mjer ne populli shkret

    Përgjigju
  • vaso: 08/02/2021 21:22

    Keta te dy jane te pa fytyre, asnjeri prej tyre nuk e mbron ate qe perfaqesojne. Kesaj i thone te fleje macja me miun.

    Përgjigju
  • Njoni: 08/02/2021 21:16

    Ti more Idriz leshi i jep konotacion negativ fjalës çam, o hajdut, o palaço cirku që do bëje aleancë me shejtonin vetëm për pak pushtet

    Përgjigju
  • Has haa: 08/02/2021 20:51

    Dule,Dhulja, Gjifti, Egjiptit,me refugjatët e a transumancës Vllehët e Thesalisë

    Përgjigju
  • Prolemi: 08/02/2021 20:31

    Si do e marrësh Çamërinë o Idriz bashkë me Dulen?Ti thua eshtë toke shqiptare ai eshtë tokë greke kush i beson kësaj marveshje,Nje ujk i uritur i tha deles nuk te ha se kemi bërë marveshje O Idriz Çami!

    Përgjigju
  • Asineja: 08/02/2021 20:21

    Bravo. Kjo eshte gazetari! Cjerrjani masken hajduteve qe kane zaptuar ceshtje dhe parti!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?