Kultura

‘Shpirti i qytetit’, Dastid Miluka ekspozitë për Tiranën! Piktori: Figura femërore e balancon kaosin e ndërtimeve dhe zhurmës

9 Shtator, 12:41| Përditesimi: 9 Shtator, 16:55

  • Share

Për Dastid Milukën, Tirana është një grua, e cila zbulohet e butë dhe nostalgjike, por edhe pasionante e plot ngjyra. Në një kohë kur kryeqyteti transformohet çdo ditë me ndërtime të shumta, artisti e pikturon atë të përqafuar me figurën femërore, për t’i sjellë në njëfarë mënyre paqen dhe qetësinë e munguar. Të propozuara në formë skulpturash të vendosura në pika kyçe të Tiranës, ai provokon edhe për një perceptim ndryshe të hapësirës së qytetit, ku figura femërore të jetë më tepër prezente në vepra arti.

“Në momentet që Tirana po bëhet pak e zhurmshme me ndërtime, me lëvizje, figura femërore duket sikur krijon një lloj balancimi apo një lloj qetësie. Por kam dashur nga ana tjetër, që edhe të përdor diçka që në dijeninë time deri tani nuk është përdorur: të vendosësh figurën e femrës, qoftë kjo nudo në hapësira publike, pra në hapësirat e hapura. Tirana për mua është grua.”, - thotë Miluka për "Report TV".

Ekspozita është një himn vizual për kontradiktat dhe harmonitë e qytetit: konturet natyrore që përqafojnë ndërtimet e reja, shtigjet e qeta që ecin përkrah bulevardeve të zhurmshme, dhe fijet e padukshme që lidhin njerëzit me vendin.

“Ekspozita fillimisht ka filluar me pjesën e vizatimit edhe gjithë kërkimi kryesor ka qenë në pjesën e vizatimit dhe këto pastaj janë transmetuar në pikturë. Figura fermërore në rastin konkret futet edhe si një lloj ëngjëlli mbrojtës, për të treguar në një farë mënyre edhe një lloj kujdesi ndaj pjesës historike apo të memorjes historike, që në përgjithësi besoj se për Tiranën është shumë e rëndësishme.”, -tregon artisti.

Piktori gjurmon një hartografi thellësisht personale të qytetit, duke ndërthurur të shkuarën dhe të tashmen, kujtesën dhe transformimin. Heronjtë kombëtarë si Skënderbeu shfaqen jo si ikona të largëta, por si prani të gjalla të endura në ritmin e përditshëm të qytetit.

“Ekspozita hapet me figurën emblematike të Skënderbeut, që nuk është vetëm thjesht figura qendrore e Tiranës, po dihet që është figura kryesore e gjithë kombit shqiptar. Është bërë një cikël prej 10 punimesh, ku imazhi i Skënderbeut në fakt është i vetmi që nuk ndryshon, por është gjithmonë sfondi pas tij që ndryshon, për të treguar pra dhe një herë tjetër konceptin e ndryshimit të të Tiranës. Pastaj vijon me gjithë pjesën tjetër të ekspozitës që vazhdon me pjesën e liqenit të Tiranës që gjithashtu mbetet mushkëria e Tiranës që është akoma e gjelbër.”, - vijon ai. 

Ndërsa peizazhi, pemët, liqeni dhe gjelbërimi i shpërndarë i qytetit ndërthuren me horizontin urban në zgjerim.

“Në rastin rastin konkret kemi liqenin e Tiranës. Ne që jemi të lindur në Tiranë e mbaj mend që ë kjo ka qenë pjesë goxha ikonike sepse ka qenë pjesa e zatrave, e quanim ne. Domethënë gjithë ky peizazh i liqenit, ndërkohë që kemi ndërtesat e reja që janë shtuar dhe sigurisht që futja e figurës femërore apo një lloj le të themi paralelizmi me Venusin, krijon një lloj atmosfere surrealiste, për të krijuar një lloj lidhje ndërmjet nostalgjisë, modernitetit edhe pjesës femërore.”

Edhe pse prej 22 vitesh jeton në Bruksel, Miluka është i lidhur me Tiranën që në lindje. Ai sjell të pikturuar shpirtin e tij në 77 punë, të cilave iu ka dhënë jetë në një periudhë 8 mujore.

“Të gjitha janë realizuar për tetë muaj. Unë doja që gjatë kohës që krijoja punimet të jetoja në Tiranë dhe të gjitha punimet janë të krijuara në Tiranë. Shpresoj që kam dhënë një pjesë interesante dhe esenciale të të gjithë frymëzimit që kam marrë nga Tirana gjatë gjithë kësaj kohe.”, - shprehet Miluka.

“Genius Loci- Shpirti i qytetit” ofron një perspektivë të freskët, por nostalgjike, duke ftuar shikuesit të ecin nëpër Tiranë jo vetëm si vëzhgues, por si ata që mbartin shpirtin e saj brenda vetes.

B.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?