Shpopullimi, të moshuarit e Pojanit mall për fëmijët! Fshati pranë Apolonisë u përgjysmua, nga 1500 mbetën 700 banorë

30 Shtator 2023, 15:35| Përditesimi: 30 Shtator 2023, 18:47

  • Share

Fshati Pojan i Fierit është prekur nga emigrimi. Edhe pse ka shanse të zhvillohet agro-turizmi pasi ndodhet pranë Parkut të Apolonisë, në fshat sot kanë mbetur vetëm të moshuarit. Popullsia është përgjysmuar në 15 vitet e fundit.

Emigrimi nuk ka prekur vetëm fshatrat malor ku mungon infrastruktura, por edhe ata fushor. I tillë është Pojani, një fshat piktoresk 7 kilometra nga Fieri dhe fare pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.  Sapo lëmë autostradën Fier-Vlorë, tabela të tregon kahun për në Pojan dhe Apoloni. Me qindra makina dhe autobusë me turistë të huaj shkojnë çdo ditë në Parkun Arkeologjik, por askush nuk ndalon në Pojan. Rrugët janë të boshatisura! Në fshat ka mbetur kryesisht mosha e trete dhe ata pak fermerë që mezi mbijetojnë me shitjen e produkteve bujqësore.

“Punë s’ka, bujqësia është pa leverdi. Punojmë tokën bashkë me gruan, por perimet shiten shumë lirë. Jam 52 vjeç dhe mendoj të largohem dhe unë se nuk mbaj dot fëmijët me bukë”, tha një fermer.

Dy gra të moshuara që i kanë kaluar të 80-tat janë të përmalluara për fëmijët e nipërit që po rriten në emigrim. Ato shprehen se pleqëria në vetmi është e vështirë, ndërsa i bëjnë thirrje shtetit të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë lokale. 

“Kemi mbetur vetëm ne dy plaka këtu e dy të tjera atje. Është shkretëtirë! Njerëzit duan të hanë, çfarë të bëjnë këtu. S’ka të ardhura, ndaj kanë ikur në kurbet. S’pyesin më as për nënë as për baba. Unë jam me pension, 8 mijë lek në muaj e s’më dalin as për ilaçe. Pojani ka qenë fshat i madh dhe i përparuar, por tani janë larguar njerëzit. Djali im ngriti para 3 viteve një sere me domate, u kalbën ato se nuk gjeti mbështetje nga shteti”, thanë dy të moshuarat. 

Shpopullimin nuk e tregojnë vetëm pamjet, por edhe shifrat zyrtare që Report Tv ka siguruar nga Gjendja Civile e Fierit. Në 2008 popullsia e fshatit Pojan ishte 1500 banore ndërsa sot kanë mbetur 700 vetë. Shkolla, 15 vite më parë numëronte 179 nxënës  sot janë 75 nxënës.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?