Narendra Modi

Shpresa të mëdha në Uashington përpara vizitës shtetërore të udhëheqësit të Indisë, i rezervohet pritje madhështore

21 Qershor 2023, 15:10| Përditesimi: 21 Qershor 2023, 15:24

  • Share

Udhëheqësit të Indisë, Narendra Modi, po i rezervohet një pritje madhështore këtë javë nga Shtëpia e Bardhë. Ai dhe presidenti Joe Biden kanë shumë çështje për të diskutuar – duke përfshirë marrëdhëniet me Kinën, konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, shpresat janë të mëdha që Uashingtoni dhe Nju Delhi të shënojnë përparim në fusha të rëndësishme.

Udhëheqësi i Indisë po trajtohet si një burrë shteti i rëndësishëm ndërsa vjen në Shtetet e Bashkuara për një vizitë shtetërore të mbushur me madhështi me ndalesa në Nju Jork, në Zyrën Ovale dhe në një seancë të përbashkët të Kongresit.

Diplomati i lartë amerikan, Antony Blinken thotë se të dy vendet kanë një lidhje të veçantë. Të dyja janë gjithashtu shumë të shqetësuara për ambiciet e shtuara ushtarake të Kinës dhe India është përplasur me Kinën përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.

"Ne e shohim këtë marrëdhënie si një lidhje unike mes demokracive më të vjetra dhe më të mëdha në botë, me një synim të veçantë tani për të demonstruar se qeveritë tona mund të japin dhe fuqizojnë të gjithë qytetarët tanë".

Në tryezë janë diskutime serioze për rivalin më të fuqishëm të Indisë, Kinën; për luftën në Ukrainë dhe për partneritetet strategjike teknologjike në fushën e mbrojtjes, energjisë dhe hapësirës.

Analisti Rick Rossow thotë se nga bisedat që ka patur me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë përpara vizitës, duket se pritshmëritë janë të larta.

“Ata mendojnë se ka shumë fusha ku mund të ketë rezultate konkrete që do t’i çonin marrëdhënien në një nivel të ri. Dhe shumë prej tyre janë të përqendruara në sektorin e mbrojtje, si dhe në teknologjitë e reja kritike për zhvillimin. Mendoj se këto do të jenë dy fushat ku ndoshta do të shohim pjesën më të madhe të njoftimeve për marrëveshje”.

Të dy vendet kanë këndvështrime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme.

I dukshëm mes tyre është ngurimi i kryeministrit Narendra Modi për të dënuar Rusinë, që është burimi kryesor i naftës dhe armëve për Indinë.

"Administrata Biden ka qenë e gatshme ta injorojë ose ta anashkalojë këtë fakt. Ka shumë që thonë se India duhet të mbështesë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në rast të një pushtimi të Tajvanit - India ka shmangur çdo lloj mbështetjeje për këtë çështje, sepse India nuk do të donte të përfshihej. Pra, ka fusha ku palët kanë mendime të ndryshme, por administrata Biden është përpjekur t'i zvogëlojë këto dallime, disi, dhe të përqëndrohet kryesisht në fushat ku ata pajtohen ose janë në një linjë mendimi", thotë Aparna Pande me Institutin Hudson.

Më pas vjen çështja delikate e të drejtave të njeriut. Organizata Human Rights Watch thotë se respekti i zotit Modi për të drejtat civile dhe politike është "përkeqësuar dukshëm" vitet e fundit. Shtëpia e Bardhë thotë se të drejtat e njeriut janë gjithmonë pjesë e diskutimeve diplomatike, por a do ta trajtojë Presidenti Biden këtë temë delikate?

“Kjo është një çështje që ka shumë të ngjarë të përcillet privatisht, në prapaskenë nga presidenti. Nuk mendoj se do të përqëndrohen shumë për këtë çështje, sepse ata duan të sigurohen që fushat pozitive të marrëdhënies të mos pengohen nga, ndonjë deklaratë për shqetësimet për të drejtat e njeriut në Indi. Por mendoj se kjo çështje do të transmetohet privatisht”, thotë analisti Richard Rossow me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Presidenti Biden do të organizojë një darkë shtetërore të enjten – dhe në nderim të vizitorit të tyre vegjetarian, Shtëpia e Bardhë ka sjellë një kuzhinier të famshëm i cili është i specializuar në gatimin me bazë bimore. VOA

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Nek: 21/06/2023 16:16

    Ran permbys duke ju lepire Indise. Spo lejn pune e gje pa cu andej. I njejti gabim qe u be dhe me Kinen. Perendimi ka monstra ne krye qe do ti kthej njerezit e vet ne drones qe vec konsumojn dhe sbejne asgje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?