ELBASAN - Tirana i është falur një autogoli në minutën e fundit të sfidës duke mposhtur 1-0 Pogradecin në finalen play-out të Superligës dhe merr biletën që edhe sezonin e ri të jenë pjesë e elitës së futbollit shqiptar.
Në "Elbasan Arena" vendosi autogoli i Hysenllarit në minutën e 90-të, me Bledi Shkëmbin dhe të tijtë që u çliruan nga kujtimet e trishta të sezonit 2016-17, kur Tirana rrëzohej në Kategorinë e Parë. Fundi i ndeshjes solli tension, aty ku Ndreca i Tiranës dhe Raza i liqenorëve dolën me kartona të kuq.
NDESHJA - Nën një atmosferë të ngrohtë dhe me tifozë të dy skuadrave, ndeshja nisi me kontrollin e Tiranës, por në minutat pasardhëse Pogradeci tregoi se nuk ishte më kot në këtë përballje. Tirana gjeti golin e epërsisë me Soler në fundin e pjesës së parë, por VAR ftoi kryesorin Andi Koçi të shihte pamjet dhe në fund goli u analua për faull.
Edhe pjesa e dytë ishte me raste nga dy skuadrat, teksa deçizive ishte minuta e fundit. Një krosim nga e djathta e sulmit bëri që Jarmouni të godiste me kokë, por topi i sulmuesit të Tiranës u devijua në rrjetë nga Hysenllari, me mbrojtësin e Pogradecit që ishte i pafat.
Në fund 26 herë kampionët e Shqipërisë i japin fundin një sezoni të vështirë me një finale të fituar vetëm në fund, duke qëndruar edhe edicionin e ri në elitë. Nga ana tjetër Pogradeci tregoi se ka një nivel të admirueshëm dhe duket se trajneri Ardian Mema do vijojë të tentojë ngjitjen në Superligë edicionin e ri.
Sfida në fund prodhoi edhe sherr mes lojtarëve në fushë, ku nuk mungoi një tifoz që kaloi rrethimin, por u ndalua nga policia.
Sherri në fundin e ndeshjes
Komente
