Ekonomi

Shpresë për eksportuesit! Euro 'ngre kokë' për herë të parë prej gushtit të 2024-ës

29 Janar, 15:22| Përditesimi: 29 Janar, 15:39

  • Share

Ditët e fundit të janarit po rrisin edhe pozitat e valutave, të cilat po forcohen më shumë përballë Lekut. Këtë të mërkurë Euro po këmbehet me 99.7 lekë duke u rritur me 0.96 lekë krahasuar me një ditë më parë. Ky është niveli më i lartë i euros që prej gushtit të vitit 2024, kohë kur euro zbriti në 98 lekë.

Po ashtu edhe dollari amerikan ka regjistruar rritje me 1.1 lekë në raport me fillimin e javës. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë dollari këtë të mërkurë po këmbehet me 95.7 lekë nga 94.6 lekë që ishte të martën.

Forcimi i valutave pritet të ndikojë pozitivisht në fitimet e bizneseve eksportuese dhe tek remitancat pasi vlerat e tyre rriten, ndërsa një forcim i fortë i valutave, ndikon edhe në shtrenjtim të borxheve si për qytetarët ashtu edhe për shtetin kur ato janë marrë në valutë.

Zhvlerësimi i valutave vjet, kryesisht i euros uli fitimet e bizneseve eksportuese me afro 670 milionë euro vjet, pasi për shitjet që ata bën jashtë vendit, fituan më pak për shkak se këmbimi euro-lek u ul ndjeshëm.

Banka e Shqipërisë zhvlerësimin e monedhës evropiane e ka argumentuar me fluksin e lartë të euros që ka hyrë në vend prej turizmit, investimeve të huaja dhe remitancave, ndërsa ekspertët e kanë lidhur edhe me paranë informale.

Për të shmangur goditjet negative të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë ka bërë thirrje që brenda vendit çdo pagesë të bëhet me monedhën kombëtare, si e vetmja zgjidhje për stabilitet në tregun valutor.

Ndërkohë Ministria e Financave në programin e reformave ekonomike 2025-2027, thotë se bankat duhet të promovojnë më shumë kursimin dhe marrjen e kredi në monedhën vendase.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?