Në oborrin e një vile të pabanuar në Bulgarec të Korçës ka shpërthyer një granate dore, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Shtëpia ishte e pabanuar prej 4 vitesh, pasi pronari Qazim Leshnja dhe bashkëshortja e tij kanë ndërruar jetë dhe nuk kanë lënë fëmijë.
Fqinjët tregojnë se për mirëmbajtjen e vilës kujdesej motra e të ndjerit Qazim Leshnja, pasi çifti nuk ka lënë fëmijë.
“Në fshatin Bulgarec, Korçë, në oborrin e një banese të pabanuar pasi pronarët kanë ndërruar jetë 4 vite më parë, dyshohet se ka plasur një granatë dore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Pista kryesore e hetimeve është konflikti i pronësisë, pasi të afërmit e Leshnjes nuk bien dakord për ndarjen e pasurisë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes me sekuestrimin e kamerave të bizneseve dhe pyetjen e familjarëve
Nipi i familjes në ndërtesën e të cilëve shpërtheu një granatë dore thotë se janë të tronditur nga ngjarja. Ai shprehet se familja e tij nuk ka asnjë konflikt.
“Po kaloja për në punë dhe pashë polici këtu. Pashë çfarë ka ndodhur. Nuk di gjë kush e ka bërë. Jemi të tronditur. S’kemi konflikt me asnjërin”, tha ai.