Dosje

'Shpëtuat nga Enveri e Mehmet Shehu, pa mbetët në duart e autoriteteve qeveritare…’/ Letra e Kol Bibës, për Abaz Ermenjin, në ’67-ën

21 Qershor 2023, 07:58| Përditesimi: 21 Qershor 2023, 08:01

  • Share

Memorie.al / “…Besoj se shprehi ndjesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqinjët tone, e kuptojnë nevojën e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqinjësisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na përkasin, Populli Shqiptar, dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.”

U proklamue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit, për analogji me Italinë e prap u suprimue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit, pa gjetë asnji kundërshtim. Ana e juej, bashkëpunuet me neve, me italianë e edhe me komunistë, njiherit, në të njajtën mënyrë, bashkëpunuat me Gjermanët e me Aleatët. Siç pohojmë na të t’onat, pohoni me guxim burrnor edhe ju të tuajat!

Synim’i Shterpët

Për të nda Shqiptarët në fashistë e antifashistë, ndër tradhtarë e super patriotë, jeni kapë për verigën e kalbët të disa telegrameve të fallsifikuem, që u shpallën nga agjensia “Stefani” dhe u botuen nga fletoret italiane njiherit, me pushtimin ushtarak të Shqipnisë, se gjoja disa parësi të Shqiptarëve, i paskeshin kërkue Duce-s ndihmë, që ta shpëtojë Shqipninë, nga regjimi i asaj kohe. Ata telegrame, ishin të fallsifikueme e, qé ku asht prova:

Në Mars të vitit 1940, fillova nji qarkullim fjalimesh, që i vazhdova në gjithë Shqipninë, që prej Kinema theater “Majestik” në Korçë, rreth mardhanjeve italo-shqiptare në gjendjen e krijueme nga forcat e rrethanat historike; dhe deklarova:

“Asnji Shqiptar, nuk e kishte dishrue as ftue pushtimin ushtarak nga Italia, as verbalisht, as me telegrame ose letra”.

Solla si shembull Kapidanin e Mirditës, me veprimin e Tij në ato rrethana, i cili i kje vue në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit, me 5.000 burra që pritshin armët, për të vrapue në luftë.

Me 15 Mars, Kapidani kje thirrë n’audiencë nga Mbreti Zog, për të bisedue për gjendjen që po shihej e turbullt me Italinë. N’atë audience, Kapidani i dha besën Mbretit, se po të ngjiste gja për okupim të Shqipnisë nga Italia, Ai do të vihej në dispozicion me të gjitha fuqitë e Tija, vetëm se i duheshin armë.

Në fund të Marsit, Mbreti emnoi Sul Kurtin, rrethkomandant në Burrel, me porosi që të rrinte në lidhje telefonike me Kapidanin, për t’i transmetue porositë e Mbretit. Me 5 Mars, Sul Kurti, me urdhën të Madhnisë së Tij, lajmëron Kapidanin të mblidhte menjiherë vullnetarët e, t’i grumbullonte rreth Rubikut ku do t’u shkonte armatimi.

Menjëherë Kapidani qiti kushtrimin e mblodhi 5.000 burra Mirditas e Thkellas te Kroji i Sh’ Lleshdrit, dhe me 7 Prill i telegrafoi Madhënisë së Tij, tue lajmërue se ishte i gatshëm për luftë dhe kërkonte armët. Po kështu, ju vuna edhe unë në dispozicion, me deklaratën që i bana prefektit të Shkodrës, Javer Hrushidit, porsa ndigjova në radio lajmin, e tentativës së zbarkimit italian.

Këto, i thashë publikisht para elitës dhe popullit të Korçës, si edhe para autoriteteve civile e ushtarake shqiptare e italiane, në at kohë, kur Italia njihej potenca e tetëmiljon bajonetave dhe ishim nën okupacionin ushtarak të saj. E përsërita që; prej Gjinokastres në Kukës, në të gjitha qendrat kryesore të Shqipnisë.

E thashë jo vesh në vesh, po me të Madhe e botnisht. Me fjalë të tjera, i thashë; “Duce Gënjeve”! Nuk u mjaftova ta them vetëm me fjalë, që i merr era e treten n’eter, po i thashë edhe me shkrim, që u botue nga Ministria e Kulturës Popullore “Distapur”, fashikulli nr. 3.

Që unë i bana ato deklarata aq të guximshme për at kohë, nuk isha i interesuem asokohe as sot personalisht, pse as emni i Ernest Koliqit as i imi, nuk figurojnë n’ato telegrame. Isha i interesuem kombëtarisht për Historinë.

E shtoj, se; asnji personalitet që ka ba ose ban pjesë në B.K.I., nuk figuron n’ato telegrame të fallsifikueme, përveç nji Burri, (që asht në Jetën tjetër), i cili, me qëndrimin e Tij patriotik, të atyne ditëve, i pat përgënjeshtrue edhe vetë.

Kjo asht e vërteta lakuriq, e atyne telegrameve. Asnji tjetër, akt privat a zyrtar, nuk ekziston i nënshkruem nga përgjegjsat e asaj kohë, përveç atyne protokolare, t’akordeve e mardhanjeve të karakterit ndërkombëtar, në mes të dy shteteve.

E kur unë asokohe N/Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, pata guximin t’i tham botës dhe Duce-s, me fjalë e me shkrim, çka u tha ma nalt, z. Yte, z. A. Ermeni e të tjerë, ndofta përshpëritshit fjalë e ndjesi reaksionare, kundra gjendjes s’imponueme Shqipnisë (nënza) siç ishin në zemër të çdo Shqiptari, po n’anën tjetër, vrapojshit, kush po merr triskën e Partisë Fashiste Shqiptare, sa ma parë.

E keni vazhdue me veshë këmishën e zezë e të duertrokitni emnin e Duce-s, në mos ma tepër, po aq sa unë e, Ernest Koliqi. Keni kalue n’anën tjetëër, kur ‘Boshtit’ filloi t’i rrjedhi kazani, e kur u pa se kazani po shterrej, për të muejtë me nxjerrë veten “puritana”, filluet edhe të ndani Kombin në fashista e antikolaboracionistë, në patriotë e tradhëtarë, tue cilësue veten superpatriotë.

 

Na akuzoni edhe për fashiot, që iu vunë Flamurit. E di shpirti ynë, e dishmojnë provat që kemi dhanë, pastaj sesa plagë e randë ka kenë për neve, ajo ditë! E mirë, na nuk mundem ta ndalonim, e prap ishim na, me në krye Mustafa Krujën, Terenc Toçin, Shefqet Verlacin, Ernest Koliqin, Ekrem Libohovën etj., që me takt e Guxim, e bamë Duce-n të tërheqin spatat e, të na e dorëzojnë Flamurin e Skënderbeut. Pra, më tregoni ju “superpatriotët”, ku ishit e, çka keni ba at ditë, që ata ia vunë spatat Flamurit

Pse nuk doli nji nga ju, me i hjedhë Mëkambësit të Mbretit nobare, ndonji vezë skllukë?! Né që na queni fashista, arrijtëm të bindim Duce-n, me pranue edhe suprimimin e Partisë Fashiste Shqiptare dhe zëvendsimin e saj, me nji Lëvizje thjesht shqiptare.

Nuk ka, as nuk ka pasë tjetër spjegim, z. A. Ermeni, veçse frikën që në nji bashkim të përgjithshëm, disa nga rrethi Yt, se mos po mbeteshin në hije e, kështu o burra, na, e vetëm na, të përpiqemi të marrim krejt pushtetin (kot t’imagjinuem), qyshse keni nda edhe pozitat, që nga Kryetari i Republikës e, deri tek

Nenprefekti, e mandej (në mendjen tuej), me ushtrue Pushtetin Absolut, për të zhdukë kundërshtarët. A nuk zbatoi të njajtin sistem komunizmi?

Dinje se mënyra e veprimit tuej, sot i shërben vetëm komunizmit: “Ndaj e Mbretno” dhe se për t’ardhmen, ka për me pasë efektin e Kundërt, t’asaj që mendoni ju. Historia, cilëson veprimet e faktet dhe jo pallavrat as dëshirat. Veprimet e faktet, peshojnë në damin tuej, si n’Atdhe, ashtu edhe në mërgim. Po ua kujtoj edhe nji gja me randësi kryesore:

Komb e shtet, nuk mund të themelohen mbi mëni (urrejtje) e rreshtna vllaznish, siç mendoni ju dhe komunizmi! Vetëm me therorina të përbashkta, të të gjithë bashkatdhetarëve e vllaznim, ndërtohet Shtet e Komb!

Kartat në Shesh

Na queni kolaboracionistë, me të huejtë, me okupatorin. Nuk e kemi mohue as, nuk e kemi ndërmend të fshihemi, mbas bekimit t’Argjipeshkvit o, të Kryemyftisë së Shkodres, siç po bajnë disa prej jush, se gjoja kishin “bekimin” e Mit’hat Frashërit, me bashkëpunue me fashista e, me “sabotue”(!), a nuk u duket qesharak ky lloj përligjimi?

Na nuk e mohuem bashkëpunimin tonë, me Italinë fashiste dhe për rrjedhim, me Boshtin; Romë-Berlin. Kët bashkëpunim, e sollën rrethanat ndërkombëtare të kohës e, nevojat kombëtare, për të shpëtue, çka t’ishte e mundun.

Kolaboracionistë në terminologjinë e ré, quhet ai që bashkëpunon me të huejn, në vendin e vet. Pra as ju, mos e mohoni pjesën tuej, në kët kuptim! Edhe ju bashkëpunuet me të huejin, madje edhe jeni mburrë për at bashkëpunim, pra kolaboracionistë kemi kenë të dy palët, na pa vullnet, shtërngue nga rrethanat e interesi i Atdheut, ndërsa ju, me krejt vullnetin e lirë. Na me Boshtin, ndërsa ju me Aleatët, për rrjedhim edhe me Rusinë Sovjetike!

Flasin faktet, dishmojnë Veprat!

Me 7 Prill 1939, Italia filloi zbarkimin e ushtrisë në katër limane të Shqipnisë. Shqiptarët, e lanun në fatin e tyne nga e gjithë Bota, e bane detyrën që i përkiste nji kombi të vogël. Luftuen sa mundën e do gjak u derdh, sa me i dishmue Botës se, Lirinë e mbrojnë me gjak.

Nji tjetër shtet 15 milionësh, kishte kapitulue pa pushkë e të shtime, tue pasë edhe nji nder industritë ma moderne t’Europës. Shqiptarët, që u gjendën në ball të luftës, ultimatumin e Agresorit, e pritën me ata plumba që patën. Burra, si Kapidani i Mirditës, u vunë në dispozicion Madhnisë së Tij, Mbretit, të gatshëm me shkue me luftue, me trimat e tyne vullnetarë.

Koha nuk priti të grumbulloheshin forcat shqiptare. Mbreti, me largpamjen e Tij, e gjykoi se nuk ishte koha me shkatrrue Vendin, me guerrilje ndër rrethanat e kohës dhe e la Atdheun. Mbrenda tri ditësh, ushtria italiane përshkoi Shqipninë anë e mbanë, deri ndër kufijë të Greqisë e Jugosllavisë. Ushtria italiane, ndër kufijtë e këtyne fqinjëve, kje pritë me të dridhuna po edhe me lule e tjera gjeste miqësie.

Mbas largimit të Mbretit dhe qeverisë nga Tirana, me 8 prill, u formue Komiteti Ekzekutiv, i kryesuem nga Kryeinspektori i Oborrit Mbretnor, Shkëlqesia, Xhafer Ypi, e Sekretarët e Përgjithëshem të Ministrive. Ky, urdhnoi pushimin e rezistencës e, pritjen miqësore të ushtrisë italiane.

Ministri i Punëve të Jashtme t’Italisë, Konti Galeazzo Ciano, që me 8 prill, kishte ardhë në Tiranë, e në marrveshje me Komitetit Ekzekutiv, ishte vendosë me mbledhë nji Asamble në Tiranë, me 12 të atij muej. Parësia e krahinave të Shqipnisë, bashkë me shumicën e deputetëve të seksionit t’atëhershëm, kishte arrijtë në Tiranë, me datën 10 e 11.

Vetëm përfaqësia e Shkodrës, ngurroi t’i përgjegjej asaj ftese, e mbas dy ditë bisedimesh, në shtëpi të Kapidanit të Mirditës, mbasi caktoi nji program veprimi, arrijti në Tiranë, në mëngjes të 12 prillit 1939, e prime nga At Gjergj Fishta, At Anton Harapi e Gjon Marka Gjoni.

U ndaluen në hotel “Internacional” e kërkuen nga delegacionet tjera, që të dilshin nga Parlamenti, për të ngulë kambë të gjithë sëbashku, siç kishte vendosë dërgata shkodrane; “mos me pranue bashkimin e Kunorës, por nji Princ, të Shtëpisë Savoja, Mbret”.

Nuk iu përgjegjen thirrjes sonë, me që ato dërgata, e kishin pranue kërkesën e Ministrit Ciano. Dërgata shkodrane, nuk pranoi të hynte në mbledhje, pa u skjarue me përfaqsuesin e Italisë, mbi fatin e Shqipnisë. Ngarkuem At Anton Harapin dhe Gjon Markagjonin, për këtë skjarim e kambëngulje, në tezën tonë.

Dy përfaqësuesit tone, u gjetën para fakteve: a. Të gjitha delegacionet tjera, kishin pranue formën e Unionit, pa asnji kundërshtim; para vendosmënisë italiane që, o do të pranohej bashkimi i Kunorëve, ose do t’ishte diçka ma e randë. Para këtyne faktorëve, të pakalueshëm, të ngarkuemit tone, prap nuk e kishin dhanë fjalën e pranimit e, sëbashku me kontin Ciano, e me Jacomonin, erdhën në sallën ku pritshim na të tjerët.

At Antoni, na shpjegoi të gjithë bisedimin e çeshtjen, tue na vue në dijeni se, Shkodra kishte ngelë vetëm, pse delegacionet tjera të gjitha e kishin pranue kërkesën e Italisë, pa hezitim. Erdhëm në nji kompromis: Konti Ciano, përfaqësues i Italisë, n’emën të Mbreti Perandor dhe të Duce-s, të bante nji deklaratë publike për ruejtjen e sovranitetit e t’integritetit të Shtetit Shqiptar, të pacenueshëm në kët bashkim Kunorash.

Ciano, e pranoi dhe e bani deklaratën e kërkueme, para popullit e përfaqsuesve të tij të rastit. Kthyeme prap në hotel dhe e stilizuem deklaratën, si vijon, të cilën, e lexoi në Parlament, ish-antari i Këshillit të Naltë, shkëlqesa Ndoc Pistulli.

Deklarata: “Mbështetë mbi marrëdhanjet që na perfaqësuesat e krahinës së Shkodrës, që para zhdukjes së regjimit zogist, patëm me përfaqësuesit e Italisë fashiste, si edhe mbi besën e dhanun, prej Ekselencës së Tij, Konte Galeazzo Ciano, i cili njiherë privatisht ia dha fjalën Princit Mirditës, z. Gjonit të Markut, e mandej publikisht edhe para dërgatës shkodrane se:

Indipendenca e Shqipnisë, asht e garantueme në mënyren ma absolute, me Flamurin e vet, me Gjuhë, shkolla e zhvillim të tyne, me administratë shtetnore të veten, ushtarake e civile, me përfaqësina para shteteve të tjera dhe me gjithçka asht në natyrë të nji Shteti e nji Kombi, me rracë, gjuhë, histori, tradicione, e tagre të veta.

Na Përfaqësuesit e krahinës së Shkodrës, pranojmë, që Mbreti Perandor i Italisë fashiste, të jetë njiheri edhe Mbreti i Shqiptarëve”. Ky dokument u nënshkrue prej të gjithë delegacionit të Shkodrës me rradhë, si vijon: Kapidan Gjon Marka Gjoni, Ndoc Pistulli, Don Mikel Koliqi, Patër Gjergj Fishta, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Daut Gjylbegaj, Zejnel Broja, Asllan Bekteshi, Kolë B. Mirakaj, Zef Boriçi, Shaqir Omari, Taip Hilmija, Gjyl Gjylbegu.

Në të djathtë të dokumentit, figuron emni i At Anton Harapit, që ka shkrue dokumentin historic, me dorën e vet. Po t’ishin bashkue me kët qëndresë morale edhe perfaqësuesit e krahinave të tjera të Shqipnisë, Italia, do t’ishte mendue shumë, para se me shkelë disa nga këto kushte, siç i shkeli, e që veprimi i mavonshëm i atyne që i queni tradhëtarë, e bani prap Italinë, t’ia kthejë këto të drejta Shqipnisë.

Në nji libret të botuem në Uashington, në 1951, nga Costa A. Chekrezi, ai thotë: “Ata që kundershtuan më rreptësisht, vendimin e Duces, ishin krerët Katolikë të Shkodrës”! Kostë Chekrezi, nuk ka kenë përkrahës i yni, por ka afermue nji të vërtetë historike.

Na, e konsideruem çeshtjen kështu: Shtëpija ka marrë zjerm; mbrenda kemi familjen, pasuninë e gjithshka asht e denjë, për jetën e njeriut. Kush të jetë burrë, duhet të hyjë në zjarm, me shpëtue çka të jetë e mundun, ose me u djegë edhe vetë. Nuk mujtëm me ndejë me duerkryq, tue ba sehir si disa “superpatriotë”(!). Gjithshka u ba aty, e ma vonë, me protokolle të karakterit të së Drejtës Ndërkombëtare – Shtet me Shtet.

Në këto rrethana shtrënguese kombtarisht, filloi kolaboracionizmi ynë me Italinë fashiste, e për rrjedhim, me Boshtin Romë-Berlin, të cilit na të bindun se interesi i Atdheut n’atë kohë, e lypte t’ishim leal, e ashtu qëndruem deri në fund; edhe kur i mbrami ushtar gjerman, po lente Shqipninë.

I ndejtëm lealë pse, mbas mendimit t’im, për me muejtë me ba politikë të dobishme për Kombin, duhet me kenë dishka, e për me kenë dishka, duhet me pasë nji forcë. Kjo forcë, o përbahet nga fuqia e armëve, ose nga fuqia morale, që vjen nga besnikija, nga lealiteti. Na si popull i vogël e, i pa mjete që jemi, nuk mund ta mbështesim politikën, në forcën e armëve e, aq ma pak në demagogjina e dredhina, po vetëm në Forcën Morale.

Tani miq ‘agrarista’, duhet pa kolaboracionizmi i juej dhe mandej frytet e këtyne dy kolaboracionizmave, me që edhe ju keni kenë kolaboracionistë me të huejn, dhe frytet e këtyne dy kolaboracionizmave janë:

Ju, e pranuet gjendjen ‘de facto’, të imponueme nga rrethanat që u thanë; e pranuet qyshse pa farë hezitimi bashkëpunuet me neve dhe u batë antarë të Partisë Fashiste Shqiptare.

Mbajtët nëpunësinë dhe fituet tjera të reja, deri në shkallë të ministrave, madje edhe të Ministrit-Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare, po ashtu si unë. E pranoi edhe vetë Mit’hat Frashëri, përderisa lejoi të nipin, Hysref Frashërin, të bahej Federal i Partisë Fashiste Shqiptare, e Ai vetë (Mit-hati), mori si koncesionin monopol, të furnizimit të të gjitha Ministrive, me landë të shkresave.

Keni fillue me kalue në opozicion, kur ‘Boshtit’ filloi t’i rrëshqasin fati, ndër frontet e luftës, atëherë kur keni fillue me shty disa të rijë, të ndezun në flakë atdhedashunije (po naivë), që të arratisen ndër male, ku ju akoma nuk kishit nji udhëheqje të tuejen, me i rreshtue në luftën nacionale, e kështu, përfundojshi të përpimë nga bandat komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit.

Edhe mbasi keni fillue me formue çetat tueja, keni vazhdue të bashkëpunoni me neve, e me komunista njiherit, e me këta të fundit, keni vazhdue me punue, deri në mbledhjen e Mukajve e që, mbas asaj mbledhje, u shtërnguen të ndaheni nga ata, me sulmet e drejta kundër jush.

Enver Hoxha, Mehmet Shehu e, sa të tjerë, i shpëtuet disa here, pa mbetë në duert e autoriteteve qeveritare, ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau kur i pat rrethue Reis Agaj, në Sevaster, e i shpëtoi Skënder Muço me shokë, dhe jo vetëm këta, po edhe Miladin Popoviqin e Dushan Mugoshen i shpëtuet disa herë, dhe patët bashkëpunim e, raki me meze me ta, e jo vetëm njiherë…!

Keni ba njifarë bashkëpunimi dredharak, me Misionet ushtarake Aleate (dredharak, pse njiheri bashkëpunojshi me italjanë ma parë, e me gjermanë masandej…), pa asnji marrëveshje protokolare konditash, për t’ardhmen e Shqipnisë. Krenët tuej, të mbrojtun nga qeveria, rrinin të qetë në kryeqytet e, tjera qendra të Shqipnisë, tue ua ngarkue aksionet komunistëve, kur keni vazhdue të mbanit pozitat “fashiste e naziste”, tue marrë edhe ndihma të posaçme nga qeveritë e kohës, me premtime me luftue komunizmin.

Ky lloj bashkëpunimi, pa kondita protokolare me të huejtë, në terminologjinë e së Drejtës Ndërkombëtare, quhet mercenarizëm. Për hirë të së vërtetës, afermoj se ndër ju, ka kenë Prof. Isuf Luzaj, që ka ba opozicion që në fillim, haptas dhe kje internue në Ventotene. Të tjerët, të internuem ma tepër, kanë kenë në villegjaturë, se sa në internim, të kuptimit të fjalës, me që ishin të lire, ndër qytete të ndryshme të Italisë. Rroga e nëpunësisë, u paguhej tanësisht, familjet merrnin ndihmën e jashtzakonëshme, edhe ndihmën si të internuem!

Kemi nji personalitet që rrinte në hotel “De Gasperi”, në via “Colina”, në Romë, si i internuem, e përveç ndihmës që merrte nga qeveria italiane, për atë cilësi, merrte edhe nga Mëkambësi i Mbretit dymijë franga Shqiptare në muej pra, dyfish rrogën e nji Ministri në fuqi!

Nuk ishit të zotët, të mbani nji pozitë të caktueme, të ndiqnit nji rrugë të vetme, po kujtuet se politika, mund të bahej me akrobacina e, demagogjina dhe nuk deshët të parashikoni rreziqet, që po i kërcënoheshin Kombit, siç i parashikonim na, e ua thonim kryetarëve tuej.

Koha provoi se, nuk kishit asnji plan për shpëtimin e Shqipnisë, sido që të përfundonte ndeshja e gjigantëve, por edhe sabotojshit me veprimet tueja, planin që kishim na, n’at drejtim.

U mundëm nga nji anmik i përbashkët, ju e na dhe dolëm rrugëve të Botës, tue e lanë Popullin në fatin tragjik të tij, por me nji ndryshim: Na, megjithse mundeshim me i shpëtue me kohë, i lamë me Popullin familjet e loçkat e zemrave tona dhe shumë të tjerë luftarë, për të mbajtë gjallë shpirtin e qindresës, me shpresë se do të vinte nji ditë, që të kishim nji bazë të fortë për ndërmarrje kryengritjeje për të shpëtue vendin nga tirania bolshevike.

Kjo bazë, qëndroi deri në Korrik të vitit 1951, tue na pritë neve të mërguemëve. Ju, me përjashtimin tand  z. A. Ermeni, e të vllazenëve Kazazi, ua dhatë kambëve, tue i lanë shokët luftarë në fatin e tyne e, që unë “fashisti”(!), i shoqnova nëpër Kalvarin u udhtimit në Jugosllavi, i nxora nga Tragjedia e Vjenës, dhe ua çila rrugën e shpëtimit për Itali.

Tash 22 vjet mërgim, po sabotoni bashkëpunimin e forcave Kombëtare, tue u përpjekë me denigrue, këdo që nuk u ndjekë juve në rrugën rrënimçare. A ka shërbim ma të çmueshëm, që mund t’i bahej regjimit komunist?! Miljarda me pasë derdhë Enver Hoxha e Mehmet Shehu (siç duket se, i kanë derdhë disa pare), nuk ishte dashtë t’arrijnë, me e rrëzue mërgaten antikomuniste, në kët shkallë që gjendet sot! Ju ia dolët! Ua dhatë bishtin spatës, n’Atdhé e në mërgim!

E tani, më lejoni nji pyetje: Ku ishit ditën e 7 Prillit të Zi? Ku ishit ditën e 12 Prillit 1939? Pse nuk doli nji nga ju, që monopolizoni (me fjalë) patriotizmin, t’ia hjedhin gurin atij “Balilos”, me shprazë ndobare nji fishek qorr atë ditë në sallën e Asamblesë për protestë para tribunës së Kontit Ciano? Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?