Të kthyer në shqetësim për komunitetin prej vitesh, agjencitë funerale do të largohen nga pjesa e qendrës së qytetit të Lezhës. Rregullorja e re e hartuar nga bashkia është prezantuar përmes një takimi publik të zhvilluar me grupet e interesit dhe qytetarë, ku janë përcaktuar kriteret për funksionimin e tyre, në godina me funksion shërbimi dhe në distancë nga zonat e banuara.
“Agjencitë e shërbimit funerale dhe shtëpitë funerale nuk do të lejohet të ushtrojnë aktivitetin e tyre në godina që përdoren për banim, pra pranë banesave, pranë ambienteve të përbashkëtave. Shtëpinë funerale duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre me funksion shërbimin.
Kemi dijeni që disa shtëpi funerale ushtrojnë aktivitetin e tyre në katin e parë ndërsa në kat të dytë ka persona që banojnë. Ka disa që janë afër pranë objekteve arsimore. Kemi bërë një rregullore që duhet të jenë në një distancë minimale prej 100 metra linear vijë ajrore nga çdo objekt arsimor.
Duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente të brendshme dhe jo të dukshme nga jashtë. I gjithë aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e brendshme të njësive të shërbimit. Makinat funerale e kanë të ndaluar të parkohen në hapësira publike”, tha Jurgen Marku, Drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Lezhës.
Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, dhe përfaqësues të Këshillit Bashkiak thonë se kanë qenë ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, të cilët i kanë detyruar të veprojnë, pasi në shumë zona agjencitë funerale janë ngritur në hyrje pallatesh pranë qendrës së qytetit.
“Gjatë kohëve të fundit kanë ardhur shumë ankesa nga qytetarët për sa i përket vendit ku ndodhen disa nga shtëpitë funerale. Ankesat i keni parasysh vetë lidhur me qenien e fëmijëve që ndodhen nëpër pallate të cilët edhe trishtohen kur shikojnë ceremoni të tilla që i kanë në katin e parë të pallatit ku banojnë”, u shpreh Ndeu Luli, kryetar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.
“Për shkak të ankesave që kemi filluar të marrim nga disa nga këto agjenci dhe vetë ligji na ngarkon për të hartuar rregulloren sepse dhe agjencitë duhet të ketë një rregullore për ta zbatuar në mënyrë që t’i përshtaten. Sot ne presim si nga agjencitë si nga komuniteti, sugjerimet tuaja të cilat nëse janë të vlefshme mund të implementohen në rregullore. Nuk është definitive.
Gjithashtu është menduar dhe një hartë, një zonë e kuqe ku nuk do të ketë asnjë agjenci funerale, pra pjesa e qendrës së Lezhës, dhe objektet ku ka banim”, tha Fatjon Zefi, nën kryetar u Bashkisë së Lezhës.
“I ftoj të gjithë që t’i shohin nen për nen ato që parashikohen në rregullore. Nga ana e nënkryetarit të Bashkisë, u tha se do të parashikohet një zonë që do të ndalohet veprimtaria e agjencive funerale, por në fakt në rregullore unë nuk gjej në asnjë rresht që i përket kësaj ndalese. Unë propozoj që Bashkia Lezhë në këtë projektrregullore të përcaktojë pjesën konkrete, apo lagjet konkrete të Lezhës që do të ndalohet ushtrimi i veprimtarisë nga ana e agjencive dhe shërbimeve funerale”, tha Alfrida Marku, Këshilltare e opozitës.
Kjo rregullore e re për agjencitë dhe shtëpitë funerale do të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak dhe këto biznese do të kenë 6 muaj kohë për të vepruar për zbatimin e saj.
Komente
