Xhihadistët e arrestuar në Spanjë

Bota

Shqetësim për xhihadistët në Spanjë, 95 të arrestuar në 8 muaj. Mes tyre edhe 8 fëmijë

25 Gusht, 19:23| Përditesimi: 25 Gusht, 19:26

  • Share

Lufta kundër terrorizmit xhihadist në Spanjë po njeh një rritje shqetësuese. Gjatë tetë muajve të parë të vitit, janë arrestuar 95 persona për lidhje të dyshuara me terrorizmin, ndërsa rastet e radikalizimit të të rinjve, shpesh përmes internetit, janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Mes të arrestuarve, tetë prej tyre janë të mitur.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Spanjolle, shumica e të ndaluarve (84 persona) janë arrestuar në Spanjë, ndërsa një e treta e tyre në Katalonjë.

Pjesa tjetër është ndaluar jashtë vendit, në bashkëpunim me autoritetet e shteteve të tjera. Ky fenomen është monitoruar nga shërbimet e inteligjencës dhe antiterrorizmit, të cilat e vlerësojnë si një shqetësim në rritje, sidomos për shkak të numrit të adoleshentëve të arrestuar, një tendencë që ka marrë hov pas pandemisë, e cila ka intensifikuar radikalizimin online përmes platformave sociale të përdorura nga të rinjtë.

Sipas ekspertëve, ky radikalizim ka një karakteristikë të veçantë. Nuk ka një profil të vetëm për të miturit e përfshirë, të cilët vijnë nga grupe sociale të ndryshme.

Operacionet, që janë realizuar në 12 nga 17 komunitetet autonome të Spanjës dhe në qytetin autonom të Meliljas në Marok, përfshijnë edhe katër gra, përfshirë dy motra të arrestuara në Madrid për menaxhimin e një "akademie xhihadiste" online, një platformë që shërbente për indoktrinimin e grave myslimane.

Që nga sulmet xhihadiste të Madridit më 11 mars 2004, në total janë arrestuar 1.357 persona të lidhur me terrorizmin islamist në Spanjë.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?