Kampionati Europian U-17 ‘Shqipëri 2025’ filloi dje me ndeshjen hapëse Shqipëri - Portugali, të luajtur në stadiumin “Arena Kombëtare”, sfidë që përfundoi me rezultatin 0-4 në favor të portugezëve.
Para ndeshjes kishte një ceremoni plot me numra artistikë dhe motive tradicionale shqiptare, ndërkohë që të pranishëm në stadium ishin mbi 8 mijë tifozë, kryesisht fëmijë.
Trajneri i Shqipërisë U-17, Andrea Tedesco, e nisin ndeshjen me këtë formacion: Huli; Kurti, Gecaj, Llana, Nuhaj, Gjoka, Sylejmani, Ferati, Vukaj, Ramku, Kulla.
Kuqezinjtë e nisën mirë ndeshjen duke luajtur si të barabartë në lojë dhe në zotërimin e topit. Gjithsesi, në minutën e 36-të Portugalia kaloi në avantazh me golin e shënuar nga Rafael Quintas, i cili u tregua i saktë me kokë në zonë pas një krosimi nga e djathta.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e luzitanëve, ndërsa në pjesën e dytë Shqipëria u përpoq vazhdimisht të thyente mbrojtjen e hekurt të Portugalisë vazhdimisht.
Në minutën e 66-të, miqtë do të fitonin një 11-metërsh pas një kontakti në zonë dhe nga pika e bardhë tregohet i saktë Mide, i cili arrin të mposhtë Hulin.
Trajneri Tedesco kryen disa zëvendësime duke freskuar skuadrën me kuqezinjtë që përpiqen vazhdimisht të gjejnë rrugën e rrjetës, po pa sukses.
Në minutën e 81-të , Portugalia arrin të shënojë edhe golin e tretë me anë të Manuel, ndërkohë që në minutën e 92-të Soares shënon edhe golin, që sigloi fitore 4-0 të Portugalisë.
Ndërkohë pati probleme me tifozët. Paçka se shumica në stadium ishin minorenë, shishet në fushë nuk munguan dhe siguria u kujdes që të largonte një pjesë të tifozëve pas portës.
Pas sfidës, trajneri i Kombëtares U-17, Andrea Tedesco tha që lojtarët nuk duhet të dekurajohen nga kjo humbje.
‘Kemi humbur shumë topa në vijën e dytë. Deri në të 60′ apo 70′ kemi qenë deri diku në lojë dhe kisha besim se deri në fund të ndeshjes mund të kishim një paraqitje më të mirë.
Ndeshje të mëdha me kundërshtarë të tillë e të fortë janë gjithnjë të vështira. Unë i kam kërkuar lojtarëve që të kapin momentet e tyre më të mira dhe të fitonin duelet e të mos e humbnin përqendrimin për asnjë çast, mirëpo kjo gjë nuk ndodhi.
Ajo çfarë është e rëndësishme duhet të rekuperohemi mentalisht dhe fizikisht përpara ndeshjes me Gjermaninë. Ne duhet t’i përkrahim lojtarët në këtë moment të vështira’, tha Tedesco.
Ndeshja e dytë e Shqipërisë U-17 në Grupin A do të luhet ndaj Gjermanisë më 22 maj në stadiumin “Elbasan Arena”.
Komente
