Tirana

Opinion

'Shqipëri, moj k*çkë, ç’na bëre verem'

29 Shtator 2022, 17:52| Përditesimi: 29 Shtator 2022, 17:54

  • Share

“Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehnem,

Shqipëri, moj kuçkë, ç’na bëre verem” - (“Viti i mbrapshtë”)

Shqipëria është një vend i pasigurt përsa i përket jetës, shëndetit, arsimit, pronës, së ardhmes.

Është një vend ku shteti shihet si bagëti që mund të milet, ligji si i bërë enkas për t’u shkelur dhe ndershmëria si turp që duhet fshehur.

Mund ta ngrysësh jetën e t’i rrokullisësh ditët që të ka falur Zoti në në këtë vend, mirëpo në të je i destinuar të jetosh mes pasigurisë së përhershme dhe rrezikut të përditshëm.

Askush nuk e ka menduar më 8 dhjetor 1990 se rinia e këtij vendi do të ikte udhëve të Botës për të mos u kthyer më kurrë.

Askush nuk e ka çuar ndër mend në atë kohë se 31 vite më vonë pasardhësit e Byrosë Politike do të drejtonin vendin, do të kishin në dorë ekonominë, do të bënin ligje dhe do të vijonin të vendosnin për fatin e shqiptarëve.

Askush nuk e ka menduar në dhjetorin e ’90-tës se krimet e tmerrshme të komunizmit do të liheshin pa u dënuar.

Askush nuk e ka menduar se ëndrra për ta parë Shqipërinë si gjithë Evropa do të rezultonte një gënjeshtër që nuk do të përmbushej asnjëherë.

Askush nuk e ka menduar se pas 31 vjetësh Shqipëria do të kishte probleme me votën e lirë, me shtetin ligjor apo nuk do të kishte zgjidhur ende problemin e pronës.

Askush nuk e ka menduar se pas 31 vitesh në Shqipëri do të sundonte e njëjta klasë politike, e cila riciklon vetveten me akuza dhe kundërakuza, ku i akuzuari herë shndërrohet në akuzonjës dhe e kundërta.

Askush nuk e ka menduar se do të ishim të fundit në Rajon përsa i përket nivelit të jetesës, nivelit të pagave dhe të pensioneve.

Dështimi më i madh i politikës në Shqipëri është se nuk diti asnjëherë të sakrifikojë pushtetin për të ndërtuar shtetin, nuk ndërtoi asnjëherë një administratë profesionale të pavarur nga militantizmi, një gjyqësor të drejtë për të gjithë dhe jo vetëm për një pjesë.

Sot shqiptarët janë të zhgënjyer, të pandjeshëm dhe të painteresuar për atë se çfarë ndodhë.

Janë 3 dekada dështim pas dështimi, zhgënjim pas zhgënjimi, ikje pas ikje.

Ëndrrat dhe idealet e fillimit u tradhëtuan duke i lënë ëndërronjësit dhe idealistët djerë.

Sot nuk bën asgjë habi, nuk çuditet kush, nuk reagon askush, nuk shqetësohet kurrkush.

Sot, në vend që të mbushnin sheshet, njerëzit mbushin autobusët.

Ata nuk shpresojnë tek pushteti dhe nuk besojnë tek opozita.

Dikur largoheshin për Itali me anije, sot largohen për Angli me gomone.

Edhe përsa i përket mënyrës së largimit kemi bërë regres. Nga anijet në '90-tën tek gomonet në 2022.

Kemi bërë përpara përsa i përket makutërisë dhe epshit tonë për të vjedhur dhe për ta parë pushtetin si mënyrë të lehtë pasurimi, por kemi bërë prapa përsa i përket vlerave dhe moralit.

Jemi shoqëri që kemi nevojë për një shkundje të madhe, duke u futur në shinat e vlerave dhe të besimit në disa parime.

Përndryshe, e keqja do të thellohet përditë e më shumë, njëkohësisht me largimin e njerëzve përditë e më të madh.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Namiri: 02/10/2022 09:49

    Epo perderisa e shikon kaq zi, ik edhe ti o namir lapardhaja…sdo behet qameti po ike dhe ti. Eshte kollaj te zbulosh probleme qe i dine te gjithe…ndonje zgjidhe i duhet vendit, jo vetemkonstatime te gjerave qe bejne muuuu. Per disa gjera nuk ke as te drejte: psh shqiperia eshte vend me i sigurte sesa italia ne ludhje me krimin e rruges, nuk te grabit kush canten nga dora e te ik me vrap apo motorr psh. Nuk te thyejn xhamin e makines ne semafor per te te mar canten e te ikin me vrap…etj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?