Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA) dhe nga 21 nëntori 2024, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA-s.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot (21 Nëntor) se “kostoja e pagesave ndërkufitare në euro do jetë pesë herë më e ulët”.
Kështu, Shqipëria bën pjesë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sejko thekson se me këtë anëtarësim përmbushet me sukses një ndër ambiciet kryesore të Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së”, deklaroi Guvernatori Sejko.
Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta, sipas kreut të BSH.
Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. E thënë më thjesht, përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.
“Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.
Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte, etj. Projeksionet vlerësojnë se në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA”, vijoi Guvernatori.
Puna për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA ka nisur që prej vitit 2021, kur Banka e Shqipërisë u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në fushën e pagesave, Banka e Shqipërisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme në përafrimin e sistemeve dhe rregulloreve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian, duke veçuar këtu miratimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e tij.
“Banka e Shqipërisë ka udhëhequr dhe koordinuar punën për dërgimin e aplikimit zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA. Si kurorëzim i punës së bërë dhe koordinimit me gjithë institucionet e përfshira, në datën 12 qershor u firmos aplikimi zyrtar i Shqipërisë për anëtarësimin në SEPA. Si rrjedhojë, Shqipëria u bë vendi i parë në rajon që dërgoi aplikimin formal, aplikim i cili përmbyllet me sukses sot me vendimin e Këshillit Evropian të Pagesave për të pranuar Shqipërinë në zonën SEPA”, shpjegoi ai.
Tregu Unik i Pagesave në Euro, i njohur si SEPA është sistemi i pagesave të Bashkimit Evropian që siguron pagesa në Euro, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si brenda një vendi, ashtu edhe midis vendeve të BE-së.