Shqipëria bëhet gati për në BE! Brenda 2030 ndryshon Kodi i Sjelljes për deputetët e rregullorja! Ndryshime në Kushtetutë e legjislacionin për korrupsionin

3 Janar, 13:10| Përditesimi: 3 Janar, 17:17

  • Share

Shqipëria bëhet gati për integrimin në Bashkimin Europian duke synuar përshtatjen e legjislacionit brenda 2030. Në kuadër të kësaj Ministria e Drejtësisë ka hartuar një udhërrëfyes për funksionimin e institucioneve demokratike. Në dokumentin e nxjerrë për konsultim publik prezantohen masat kryesore që parashikohen të merren në kuadër të procesit të adresimit të gjetjeve të paraqitura nga Komisioni Evropian në raportin e shqyrtimit (screening report) për Shqipërinë për sa i përket Kriterit Politik kryesisht Funksionimit te Institucioneve demokratike.

Udhërrëfyesi ka 3 pika dhe pika e dytë ka të bëjë me forcimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe integritetit të deputetëve të Kuvendit përmes masave strategjike dhe përmirësimeve të kornizës ligjore.

Ndryshohet Kodi i Sjelljes i deputetëve dhe Rregullorja e Kuvendit

Në udhërrëfyes synohet amendimi i Kodit të Sjelljes dhe rregullores së kuvendit.

Pika e parë ka të bëjë me kushtëzimin e deputetëve për të takuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe lobistë të cilët janë të regjistruar në regjistrin e transparencës.

“Amendimi i Kodit të Sjelljes së deputetëve, për të futur detyrimin që takimet e deputetëve dhe stafit të tyre me OSHC-të dhe lobistët të zhvillohen vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës në përputhje me përcaktimet e Vendimit të Komisionit të datës 31 janar 2018 mbi Kodin e Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian, neni. 7 si dhe publikimin e procesverbalit të mbledhjes deri më 2029” shkruhet në udhërrëfues.

Në amendimin e Kodit të Sjelljes brenda vitit 2030 synohet përfshirja e aktorëve më të gjerë nga shoqëria civile dhe grupet e interesit në punën e Kuvendit.

Një tjetër objektiv është dhe ndryshimi i Rregullores së Kuvendit për të zgjeruar zbatimin e Post Kontrollit të ligjshmërisë jo vetëm për ligjet e përafruara me acquis të BE-së, por edhe në aktet normative që kanë fuqinë e ligjit deri në vitin 2027.

Në kuadër të transparencës synohet që shoqëria civile, media e palët e interesuara të kenë qasje më të lehtë në dokumentacionin zyrtar parlamentar

Kodi i sjelljes parashikon edhe caktimin e masave disiplinore në rastet e shkeljes së dispozitave të Kodit në komisione dhe seanca plenare.

Amendohet legjislacioni për korrupsionin brenda 2027

Në kapitullin 2 të udhërrëfyesit një seksion është i ndarë nën emërtimin “kodet etike; deklarimin e pasurisë; regjimet për parandalimin e konfliktit të interesit; kufijtë e imunitetit nga hetimi, ndjekja penale ose gjykimi i veprave të korrupsionit në shkallën e nevojshme në një shoqëri demokratike.

Në këtë kapitull synohet forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative të Kuvendit për mbështetjen e deputetëve në këto tema

Një tjetër pikë është dhe “forcimi i kapacitetit të Kuvendit për të siguruar korrigjimin e duhur të legjislacionit për korrupsionin brenda vitit 2027”

“Sigurimi i harmonizimit të plotë me standardet ndërkombëtare për luftimin e ryshfetit të zyrtarëve të huaj publikë nëpërmjet ratifikimit të Konventës së OECD-së për Luftimin e Ryshfetit të Zyrtarëve Publikë të Huaj në Transaksionet e Biznesit Ndërkombëtar të 17 dhjetorit 1997 brenda 2027” shkruhet në udhërrëfyes

Brenda dy viteve të ardhshme 2024 – 2025 synohet finalizimi i draft metodologjisë për identifikimin e rrezikut për korrupsion në procesin ligjbërës të zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve të Westminster Foundation në bashkëpunim dhe trajnimin e stafit të Kuvendit për zbatimin e tij.

 Në udhërrëfyes është parashikuar dhe edukimi sidomos i deputetëve të rinj përmes organizimit të sesioneve informuese për çdo legjislaturë të re për zbatimin e Kodit të Etikës apo çështjet etike duke u ofruar këshilla të vazhdueshme për çështjet e konfliktit të interesave gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si deputetë

Ndryshime kushtetuese brenda 2030

Në pikën 2.3 të udhërrëfyesit që ka të bëjë me efektivitetin parashikohet dhe ndryshimi i kuadrit ligjor 1 vit përpara aderimit për të përfshirë koncepte si marrëdhëniet mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, parimi i subsidiaritetit në përputhje me Rregulloren e Punës së Parlamentit Europian.

Kjo parashikon “ndryshime kushtetuese që garantojnë respektimin e parimit të epërsisë së ligjit të BE-së ndaj të gjitha dispozitave të kundërta të ligjit kombëtar, nga institucionet demokratike, përfshirë Kuvendin, Qeverinë, autoritetet gjyqësore, dhe Gjykatën Kushtetuese brenda 6 muajsh para anëtarësimit” thuhet në udhërrëfyes

Për të rritur efektivitetin parashikohet dhe ngritja e një sistemi e – legjislacioni që do të integrojë sistemet e të gjitha institucioneve të përfshira, në procesin ligjbërës brenda vitit 2030. Si dhe forcimi i kapaciteteve të stafit administrativ dhe politik të Kuvendit në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara për mbështetjen e deputetëve, për të përballuar detyrimet e shtuara që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit brenda vitit 2030.

Në këtë kapitull parashikohet dhe ndryshimi i nenit 28 të ligjit për Avokatin e Popullit, për heqjen e detyrimit për publikimin e raportit vjetor të Avokatit të Popullit pas prezantimit të tij në Kuvend deri në vitin 2026. Kërkohet që raporti vjetor të publikohet para se të prezantohet në Kuvend.

Çfarë është udhërrëfyesi

 “Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike ” është një dokument politik dhe strategjik i cili paraqet masat kryesore që parashikohen të merren në kuadër të procesit të adresimit të gjetjeve të paraqitura nga Komisioni Evropian në raportin e shqyrtimit (screening report) për Shqipërinë për sa i përket Kriterit Politik kryesisht Funksionimit te Institucioneve demokratike.

I hartuar nga Ministria e Drejtësisë, dokumenti u publikua në faqen e konsultimeve publike më 27 dhjetor 2023 dhe brenda 20 ditëve palët e interesuara mund të paraqesin komente apo rekomandime.

Ai eshtë hartuar në mbështetje të urdhrit nr.57, datë 24.4.2023, të Kryeministrit, “Për disa shtesa në urdhrin nr.94,datë 20.50.2019 të Kryeministrit” ”Për ngritjen e grupeve ndër institucionale të punes për Integrimin Evropian”

Dokumenti është hartuar pas një analize të akteve ligjore dhe kapaciteteve institucionale të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në kriterin politik kryesisht funksionimin e institucioneve demokaratike në vijim të procesit “screening”. Qëllimi i hartimit të tij është të paraqesë masat politike kryesore që vendi ynë merr në procesin e negociatave për anëtarësim në BE për sa i përket Funksionimit të Institucioneve Demokratike si dhe për ta konsultuar me opinionin e gjerë publik, ekspertë të fushës dhe shoqërinë civile duke plotësuar të gjitha kërkesat për konsultimin publik.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Ora 17:13
Shqipëria drejt BE, udhërrëfyesi: Në 2024 korniza ligjore për votën e diasporës

 

Me përfundimin e procesit screening, Shqipëria ka nisur rrugën e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian. Një draft-plan për ndryshimet ligjore të parashikuara në vijim, Ministria e Drejtësisë e ka hedhur për Konsultim publik.

Në mesin e “udhërrëfyesit për institucionet” parashikohet që korniza ligjore për votën e emigrantëve të bëhet brenda 2024, ndërsa aktet nënligjore në 2025. Vonesa në këto parashikime, do të pamundësonte votën e diasporës në zgjedhjet e ardhshme.

“Miratimi i një kornize ligjore që adreson rekomandimet e pazbatuara te OSBE-së përmes një procesi konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës, brenda vitit 202: duke adresuar: - Zbatimin e parimit të mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë para ligjit dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore. Sigurimi i depolitizimit të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta; - Votimi i shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit; - Akuzat për blerje të votave dhe keqpërdorimin e administratës qendrore dhe vendore deri në fund të vitit 2024. Aktet nënligjore detyruese në përputhje me legjislacionin parësor do të miratohen në kohën e duhur brenda vitit 2025' thuhet në dokument

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mergimtari: 04/01/2024 08:37

    Kjo eshte nje tjeter "shaka pa kripe" e udheheqies 33-vjecare.Ne 33-vite ka vetem sharje e mallkime per votimet ,ku vjedhja dhe manipulimi eshte kryefjala.Edhe Amerika ka pasur e ka kundrshtime per votat e personave qe nuk jetojne ne US-a.Populizmi eshte politika e dites.

    Përgjigju
  • alqi: 03/01/2024 15:25

    Hajt se deri atehere ja kemi thare ujin vatanit.

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 03/01/2024 15:12

    Populli e ka te qarte se klasa e vjeter politike 34 vjeçare eshte pengesa e vetme per demokracine dhe prosperitetin e shqiptareve....kjo klase e degjeneruar ne krim e korrupsion shtetetor,kjo kodoshe e instalimit te mafies ne tere organet ligjvenese e ligjzbatuese te shtetit shqiptare perfshi edhe parlamentin,presidencen e kryeministrine te çohet para ligjit,ti sekuestrohet pasuria e grabitur dhe te marre denimin e merituar sipas ligjit. Patjeter,patjeter e tera duhet te dale jashte jetes publike dhe sociale shqiptare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?