Kultura

Shqipëria dhe Arkivi Marubi ndriçuan 'Natën e Muzeve' në Romë

24 Maj, 14:00| Përditesimi: 24 Maj, 14:03

  • Share

Trashëgimia unike fotografike e Arkivit Marubi ishte në qendër të vëmendjes në edicionin e 15-të të “Natës së Muzeve” në Romë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndër-evropiane që ftoi qytetarë, turistë dhe artdashës të eksploronin muzetë dhe institucionet kulturore deri në orët e para të mëngjesit, me një biletë simbolike prej vetëm 1 euro.

Shqipëria u përfaqësua me krenari në këtë festë evropiane të kulturës përmes një mbrëmjeje të kuruar me kujdes nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, në ambientin e veçantë të Sala Santa Rita një prej hapësirave më ikonike të kryeqytetit italian. Programi, i dedikuar Arkivit Marubi, i përfshirë në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës të UNESCO-s, solli para publikut italian dhe ndërkombëtar historinë shqiptare të fotografisë.

Të pranishmit patën mundësinë të shijonin një dokumentar mbi Arkivin Marubi, që solli në ekran rrëfimin e një trashëgimie unike fotografike shqiptare, dhe gjithashtu të përjetonin një ndërthurje muzikore nga sopranoja Ana Lushi dhe pianistja Kozeta Prifti, të frymëzuara nga qyteti i Shkodrës.

Pjesë e mbi 100 aktiviteteve kulturore të ofruara në mbi 60 hapësira të ndryshme në gjithë Romën, mbrëmja shqiptare solli një copëz arti dhe historie nga Shkodra në zemër të Italisë. Reagimet e publikut ishin tepër pozitive, ndërsa shumë vizitorë u ndalën për të admiruar përfaqësimin shqiptar dhe për të mësuar më shumë për fotografinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Kjo pjesëmarrje shënoi një hap të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare në një skenë ndërkombëtare dhe tregoi sërish se arti shqiptar di të flasë fuqishëm edhe përtej kufijve.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?