Shqipëria drejt fuqizimit ushtarak/ Studimi me NATO-n për rivitalizimin e ndërmarrjeve ushtarake! Miratohet likuidimi për 131 punonjës të Poliçanit

3 Qershor, 19:52| Përditesimi: 3 Qershor, 20:00

  • Share

Afro 83.8 milionë lekë, do të shpenzohen nga Ministria e Mbrojtjes për të shlyer pagat dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara për 127 ish-punonjës, dhe 4 punonjës aktualë të ndërmarrjes Kombinati Mekanik Poliçan.

“Ndërmarrja rezulton me një humbje progresive, pasi nuk ka mundur të sigurojë kontrata për aktivitetin e saj dhe ka sjellë thellimin e humbjeve nga viti në vit. Pas një analize të bërë është propozuar ky projektligj për vitet janar 2017- dhjetor 2023 do paguhen pagat dhe detyrimet të punonjësve, duke përjashtuar gjobat dhe kamatëvonesat e krijuara në sistemin e tatimeve, pasi nuk prekin punonjësit e ndërmarrjes”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Enkelejd Joti.

Ndërmarrja e Poliçanit prej vitit 2020, nuk ushtron aktivitet, ndërkohë që deri në këtë periudhë ka shërbyer për demontimin e municioneve, dhe për shkak të mungesës së të ardhurave nuk ka likuiduar punonjësit.

“Ndërmarrja e Poliçanit prej 2020 nuk kryen aktivitet, deri në atë kohë është përdoruar vetëm për demontim të municioneve të tepërta të Ministrisë së Mbrojtjes, proces në të cilin është përfshirë edhe ndërmarrja e Gramshit dhe e Mjekësit në Elbasan. Për shkak se kontratat për demontim mbaruan, kompania nuk arriti të shlyente detyrimet për punonjësit. Ka katër punonjës aktual, që merren vetëm me çështje administrative pa pasur asnjë kontratë për prodhim municioni apo demontim. Ndërmarrjet e tjera janë duke kryer aktivitet ekonomik e financiar. Ndërmarrjet e tjera, kanë kontrata dhe po bëjmë demontim”, tha Nuri Laknori-Drejtori i buxhetit dhe menaxhimit financiar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Teksa prezantohej projektligji në komisionin e Ekonomisë, drejtori i Buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes tha se vendi po shkon drejt fuqizimit të ndërmarrjeve ushtarake, dhe se për këtë ka përfunduar studimi i bërë me NATO-n.

“Është realizuar një studim fizibiliteti me Agjencinë e NATO-s për prokurimet e mbështetjes, ka një kosto për mundësinë e rivitalizimi të ndërmarrjeve ushtarake. Ka edhe një qasje të Ministrisë së Mbrojtjes për të rivitalizuar ndërmarrjet ushtarake”, tha Laknori.

“Një orë e përpara t’ia japin lekët. Pse tani? Mesa duket tani ka mundësi që kombinati të rifillojë prodhimin, dhe me këta punonjës do e bëjë se nuk do të vijnë punëtor të tjerë nga hëna”, tha deputeti i PD-së Edmond Spaho.

Për fuqizimin ushtarak të vendit, Zëvendësministri i Mbrojtjes, tha se është hartuar edhe projektligji për krijimin e shoqërisë ‘KAYO’ sh.a. e cila do të prodhojnë dhe tregtojë, armë e municione ushtarake. Në këtë projektligj është theksuar se përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe rivitalizohen kapacitetet e trashëguara të industrisë ushtarake.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?