Ekonomi

Shqipëria drejt tatimit të të ardhurave nga kapitalet? PS rrëzoi propozimin e Braçes, ekspertët: Do rriste buxhetin

29 Nëntor 2021, 12:27| Përditesimi: 29 Nëntor 2021, 12:54

  • Share

Qeveria pritet që vitin e ardhshëm të taksojë edhe të ardhurat që qytetarët apo bizneset mbledhin nga kapitalet e tyre. Ekspertët thonë se nëse arrihet në këtë vendim, taksimi duhet bërë progresiv në varësi të të ardhurave nga kapitalet, dhe se do të ndikonte pozitivisht në buxhet. Propozimi që nuk mori dot votat e socialistëve, u bë në Kuvend nga ish-zv. kryeministri Erion Braçe.

“Kështu është tatim progresiv mbi rrogat apo të ardhurat nga puna por tatim progresiv për mbi fitimet mbi kapitalin ne nuk kemi”, tha Erion Braçe në komisionin e Ekonomisë në 22 nëntor.

Taksim progresiv edhe për të ardhurat nga kapitali ishte një nga propozimet e bëra nga deputeti i PS-së Erion Braçe, teksa diskutohej në komisionet parlamentare ndryshimi i projektligjit për tatimin mbi të ardhurat. Për të shkuar tek ky vendim ish-zëvendëskryeministri propozoi që brenda vitit të ardhshëm të hartohet një ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat që të përfshinte edhe të ardhurat nga kapitali.

Propozimi është pozitiv, por tepër i vështirë për tu zbatuar në Shqipëri, shprehet eksperti fiskal Eduart Gjokutaj, duke shtuar se një masë e tillë do të rriste edhe të ardhurat në buxhet.

“Kjo politikë do konsensus politik, pasi nuk mjafton vetëm vullneti i një qeverie për të taksuar kapitalin për arsye se po flasim për pasuri të akumuluara gjithë këto dekada”, tha Gjokutaj.

Tatimi i kapitalit që Braçe propozon nënkupton që të paguhet taksë për çdo të ardhur që një individ mbledh nga burime të tjera përveç që shpërblehet me pagë. Po ashtu kjo taksë të aplikohet edhe mbi fitimet e biznesit

“Nëse deri më sot të ardhura janë mbledhur nga taksimi i punës, taksimi i kapitalit përfshin të gjitha të ardhurat që vijnë nga qiradhënia, nga shfrytëzimi apo dhënia në përdorim e aseteve, nga pjesa e fitimeve, nga shitja e të drejtave autorial. Pra të gjitha të ardhurat që vijnë jo nga puna por nga burime të tjera që bazohen mbi një kapital, konsiderohen si kapitale dhe duhet të jenë objekt i taksimit”, pohon eksperti fiskal.

Por për të arritur deri tek ky vendim, fillimisht duhet të bëhet inventarizim i kapitaleve.

“Fillimisht duhet të bëhet inventarizimi i kapitaleve. Ka nisma të tilla, për pronat apo regjistrat e  ndryshme të asetet e firmave por kjo nuk mjafton për një nismë kaq madhore, pasi është taksë e vështirë për tu zbatuar në klimën e përjashtimeve fiskale që aplikohen në vend”, pohon Gjokutaj.

Ashtu si tek pagat, edhe për taksimi i kapitalit Gjokutaj thotë se duhet të ketë fasha progresive.

“Taksa progresive do të aplikohet edhe tek kapitali, por të jetë e harmonizuar me taksimin e pagës. Ai që ka një pronë me atë që ka 10 prona nuk mund të taksohen njësoj, për arsye se progresiviteti takson atë që ka më shumë si parim. Si pikë orientimi do të jenë pragjet e taksimit të të ardhurave, por taksimi mbi kapitalin duhet të jetë më i lartë se ai që aplikohet mbi punën”, pohon eksperti.

Aktualisht qytetarët që kanë të ardhura nga burime të tjera veç punës, paguajnë tatim në burim 15%, (për shembull për pronën që jep me qira në rastet që janë me kontrata noteriale). Ndërsa tek bizneset ka kategorizime, pasi nis me 5% tatim fitim për aktivitetin e IT, agroturizmin, industrinë automotive dhe për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor dhe arrin deri 15% për të gjitha bizneset e tjera.

Propozimi i Braçes për të taksuar edhe kapitalin nuk u mbështet nga socialistët të cilët votuan kundër në Kuvend, por në komisionet parlamentare ministrja e Financave Delina Ibrahimaj nuk e përjashtoi një propozim të tillë, dhe pohoi se vitin që vjen do ketë ligj tjetër për të tatimin e të ardhurave.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?