Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim me Komandën Kibernetike dhe të Ndërlidhjes me fokus hartimin e një strategjie mbrojtjeje që ka inovacionin në themel të saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Vengu shprehet se “ngjitja e Shqipërisë në vendin e 15 në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI) na bën edhe më të motivuar për të rritur kapacitetet dhe mbështetjen në fushat e sigurisë së informacionit, infrastrukturës dhe mbrojtjes kibernetike”.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe plani i rritjes së kapaciteteve në mënyrë që inovacioni të hyjë në ADN-në e çdo investimi modernizues.
“Sot në Komandën Kibernetike dhe Ndërlidhjes, si qendër rëndese e strategjisë detajuam planin e rritjes së kapaciteteve në mënyrë që inovacioni të hyjë në ADN-në e çdo investimi modernizues në të gjithë spektrin e aktivitetit ushtarak dhe civil të Forcave të Armatosura”, thuhet më tej në postim.
Shqipëria u vlerësua nga National Cyber Security Index (NCSI) në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 15-të në botë me 85.00 pikë.
Komente
