Kultura

Shqipëria e shekullit XIX, ekspozitë te Biblioteka Kombëtare! Shqipëri-Mali i Zi/ Harta, kartolina, foto të Marubit

11 Shtator, 10:54| Përditesimi: 11 Shtator, 11:06

  • Share

“Udhëzues për Shqipërinë” (Paris, 1930), “Gjuha e Shqiptarëve” (Frankfurt, 1835) dhe “Katër muaj në Shqipëri” (Berlin, 1916), janë vetëm disa nga librat e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Krahas tyre, publiku mund të shohë edhe harta të rralla, kartolina si edhe punime të fotografit të njohur shqiptar Pjetër Marubi. Biblioteka Kombëtare e Malit të Zi, “Đurđe Crnojević” posedon një numër të madh veprash mbi Shqipërinë dhe të atyre në gjuhën shqipe dhe ekspozita me titull “Trashëgimia kulturore, pikë takimi e popujve dhe e shteteve” përfshin shembuj të përzgjedhur nga disa koleksione që ruhen në bibliotekën kombëtare në Cetin.

“Ekspozita e librave të vjetër, hartave dhe kartolinave për Shqipërinë përfaqëson gjithashtu kujtesën e përbashkët kulturore të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe përkushtimin e bibliotekarëve për ruajtjen dhe qasjen ndaj trashëgimisë së shkruar të të gjitha komuniteteve kombëtare në Mal të Zi. Prandaj manifestimi Java e kulturës së Malit të Zi në Shqipëri ku marrim pjesë për herë të dytë tregon sa të rëndësishme janë këto ngjarje për forcimin e lidhjeve kulturore dhe përkuptimin më të mirë të popullit malazez dhe atij shqiptar me veçantitë e tyre.  Pjesë e ekspozitës janë libra, harta dhe kartolina me vlerë nga koleksioni kombëtar Montenegrina dhe nga koleksioni i librave të vjetër dhe të rrallë, koleksioni i legateve dhe koleksioni hartografik gjeografik.”, - tha Dragica Lompar, drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Malit të Zi.

Mes librave të prezantuar veçohen udhërrëfyesi nëpër Shqipëri dhe Mal të Zi në gjuhën gjermane botuar në Mynih në vitin 1913, “E folmja e shqiptarëve”, po ashtu në gjermanisht, botuar në Frankfurt më 1835, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së epërme, botuar në Paris më 1858, si dhe një udhërrëfyes nëpër Shqipëri e vitit 1930, që përmban informacione për qytetet e Shkodrës, Tiranës dhe Korçës.

Përsa i përket kartolinave, pjesa më e madhe i përket ateljesë së Pjetër Marubit, i cili realizoi një numër të madh fotografish të vjetra për Malin e Zi, qytetet e tij dhe monumentet historike dhe natyrore.

“Arkivi fotografik që krijoi familja Marubi ka rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për hapësirën më të gjerë të Evropës Juglindore, pra edhe për Malin e Zi. Që në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Pjetër Marubi dhe nxënësi i tij, Kel Marubi, ishin mysafirë të shpeshtë të oborrit malazez dhe të Malit të Zi. Sipas burimeve të disponueshme, fotografitë më të hershme në koleksionin e tij datojnë nga vitet 1858-1860, ndërsa që më 1861 ai realizoi fotografitë e para në natyrë në Shkodër dhe në Mal të Zi.”, - vijoi Lompar.

Mes drejtores së Bibliotekës Kombëtare të Malit të Zi dhe drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi.

“Në dy ekspozitat e fundit madhore që bëmë kushtuar koleksioneve veneciane e Mesdheut thamë që ne kemi një numër shumë të madh librash, hartash, materialesh që lidhen me historinë e Malit të Zi. Janë të mirëpritur studiues nga Mali i Zi për të parë, për të studiuar, për të parë. Njëkohësisht jam i sigurtë dhe në koleksionet e bibliotekës tuaj do ketë gjëra që mund t'i interesojnë Shqipërisë, kështu që hapet një faqe e re të paktën në bashkëpunimin midis nesh.”, - tha Misha. 

Të pranishëm në aktivitet ishin mes të tjerësh Daniela Radulović - kuratore e ekspozitës, Ardita Rama - udhëheqëse e Bibliotekës Popullore të Ulqinit dhe Danilo Mrvaljević - drejtori i Arkivit Shtetëror të Malit të Zi. Paralelisht me këtë ekspozitë, në Bibliotekën Kombëtare, Qendra “Sotir Kolea” vijon të qëndrojë e hapur një ekspozitë dokumentesh me temë “Përfaqësitë Konsullore të Malit të Zi 1880-1914” nga Arkivi Shtetëror i Malit të Zi. Ekspozita paraqet një pjesë të dokumenteve nga fondet e Arkivit Kombëtar të Malit të Zi që lidhen me veprimtarinë diplomatike të Principatës së Malit të Zi në periudhën pas Kongresit të Berlinit 1878 dhe deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?