Shtylla kryesore e programit qeverisës “Rama 4” është integrimi në BE, që kryeministri Edi Rama e ka shpallur prioritet kryesor. Në programin qeverisës, të siguruar nga Report Tv, thuhet se objektivi është anëtarësimi i plotë brenda vitit 2030, që qeveria e sheh si mision kombëtar, i cili do të riformatojë shtetin në themel, duke forcuar institucionet, përmirësuar shërbimet publike dhe rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Plani parashikon, ashtu siç e ka theksuar kryeministri, përmbylljen e kapitujve dhe negociatave deri në vitin 2027, për të vijuar më pas me nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2028 dhe ratifikimin e tij nga parlamentet e vendeve anëtare. O
Shteti Digjital dhe siguria kibernetike
Qeveria synon një transformim dixhital, ku çdo qytetar dhe biznes do të ketë akses të sigurt e të thjeshtë në shërbime publike nga telefoni apo kompjuteri. Synohet që me e-Albania 2.0, shërbimet do të ofrohen sipas modelit “life events”. Të gjitha shërbimet publike, edhe ato vendore, do të digjitalizohen, ndërsa prokurimet publike do të bëhen përmes një sistemi tërësisht të automatizuar me inteligjencë artificiale për të eliminuar korrupsionin. Në shëndetësi, do të krijohet Dosja Elektronike për çdo qytetar. Digjitalizimi do të shtrihet edhe në fusha të tjera si financat, bujqësia, drejtësia dhe emergjencat civile, duke përdorur AI. Synohet krijimi i Portofolit të Identiteti Dixhital të vlefshëm në BE nga viti 2027, Platforma e Bashkëqeverisjes të fuqizuar nga AI, implementimi i European Case Law Identifier (ECLI) për sistemin gjyqësor, si dhe apostilimin elektronik.
Administrata publike, Antikorrupsioni dhe Transparenca
Qeveria synon administratë “pa letër”, me digjitalizim të plotë, automatizim të pagave e rekrutime meritokratike, parandalim të korrupsionit në sektorë kyç, transparencë të plotë me “Transparent Albania” dhe Prokurim Smart të bazuar në inteligjencë artificiale.
Drejtësia dhe të drejtat themelore
Qeveria synon forcimin e reformës në drejtësi përmes miratimit të Kodit të ri Penal e Civil të përafruar me BE-në, funksionalizimit të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve me module të AI deri në 2028, modernizimit të infrastrukturës gjyqësore, zbatimit të Masterplanit të Burgjeve dhe ngritjes së Institutit për Edukimin e Rehabilitimin e të Miturve sipas standardeve europiane.
Politika e jashtme dhe diaspora
Qeveria synon që të thellojë partneritetin strategjik me SHBA, BE, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar si dhe organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë më 2027. Synohet gjithashtu zgjerimi i rrjetit diplomatik me 10 përfaqësi të reja deri në 2029, dyfishimi i investimeve të huaja dhe promovimi i identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare përmes diplomacisë kulturore e shkencore.
Mbrojtja dhe siguria kombëtare
Synohet forcimi i Forcave të Armatosura me paga që arrijnë mesataren e NATO-s deri në 2029 dhe zhvillimi i industrisë ushtarake “Made in Albania” për municione, armatime, mjete të blinduara e sisteme pa pilot. Qeveria synon që të zgjerojë kapacitetet detare me tre anije të reja, dy avionë zjarrfikës dhe katër qendra të reja rajonale të emergjencave civile.
Siguria publike
Qeveria synon të përafrojë legjislacionin me BE-në kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, duke funksionalizuar projektin “Smart City” për uljen e kohës së reagimit policor dhe duke rritur sigurinë rrugore me 30% më pak fatalitete deri në 2030. Parashikohet përdorimi i Hartës Digjitale të Kriminalitetit, përdorimi i pasurive kriminale për investime komunitare, modernizimi i dokumenteve biometrike, menaxhimi i kufijve sipas standardeve të Schengen-it dhe ngritja e qendrave kombëtare për zjarrfikësit dhe trajnimin emergjent.
Lajmi kryesor:
Report Tv siguron programin ‘Rama 4’: Shqipëria europiane, mision kombëtar! Vendi në 6 rajone turistike, 20 marina nga Velipoja në Ksamil
Xh.D/ReportTv.al