Politikë

Shqipëria firmos marrëveshje me Izraelin për Teknologji dhe Inovacion, Rama: BE na ka hapur një dritare, moment historik dhe mundësi që s’vjen për herë të dytë

28 Shkurt, 11:04| Përditesimi: 28 Shkurt, 15:14

  • Share

Shqipëria shkon drejt BE-së me të tjera marrëveshje të firmosura që i shërbejnë procesit të plotësimit të kritereve të vendosura nga BE për anëtarësimin dhe negociatat që duhet të mbyllen në vitin 2027.

U nënshkrua sot me një ceremoni edhe marrëveshja “TEDA Tiranë” me kompaninë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, një investim ky i rëndësishëm në Teknologji dhe Inovacion.

I pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ambasadorja e izraelit në Tiranë, Galit Peleg, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Bashkia e Tiranës dhe përfaqësues të tjerë.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo marrëveshje bëhet edhe në kuadër të prioriteteve dhe qëllimit të Shqipërisë për të realizuar sa më shpejt procesin e negociatave me BE-në, nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, që do ndihmojë në adaptimin dhe realizimin e praktikave europiane në ligjet dhe institucionet shqiptare.

Kreu i mazhorancës theksoi se BE ka hapur një dritare për Shqipërinë e detyruar nga faktorët gjeopolitikë që Shqipëria duhet ta shfrytëzojë, sepse çdo ditë e humbur mund të çojë në mbylljen e kësaj dritareje, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Ai vlerësoi zhvillimin teknologjik të vendit mik, izraelit, në teknologji dhe inovacion.

“Izraeli nuk ka ujë, por ka sistemin më të sofistikuar të ujit në botë, më të jashtëzakonshmin e ujit në botë. Tokat e Izraelit janë jopjellore, por është vendi që ka bujqësinë më të përparuar në botë dhe kjo fal teknologjisë dhe inovacionit. Po diskutojmë një sërë marëveshjesh me Izraelin, përfshi edhe inteligjencën artificiale. Dallimin mes shteteve nuk e bën sa ke, por se sa di. Investimet izraelite në teknologji janë të mirëseardhura dhe na shërbejnë për të na ndihmuar në procesin e integrimit në BE dhe kapur afatet kohore. Shqipëria ka histori në marrëdhëniet me popullin hebre, ambasadorja ëhstë një mbështetëse e madhe dhe e dashuruar me vendin tonë”, tha Rama duke shpjeguar edhe qëllimet e marrëveshjes.

Më tej, kreu i ekzekutivit vuri theksin edhe tek detyrimi i vendit për të realizuar sa më shpejt kushtet e vendosura nga BE, me afat negociatash 2027 dhe anëtarësimin në 2030, si një mundësi e artë dhe që mund të mos vijë më.

“Për ne është një mundësi e mirë, marrëveshjet janë strategjike. Fal teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kemi në dispozicion një mjet, instrument që e kemi krijuar vetë, në bashkëpunim me Microsoftin, për të bërë përshpejtim të procesit të negociatave, duke transferuar në kohë reale të gjithë grupin e ligjeve të BE-së që duhet të adaptohen në sistemin tonë. Jo vetëm për t’u adoptuar, duke marrë shembull Kroacinë, ta reduktojë nga 7 vjet në një kohë të shkurtër deri në 2027, por nëpërmjet këtij instrumenti të kemi një sërë elementësh të tjerë thelbësorë që kanë të bëjnë me analizën e impaktit, mbivendosjet e mundshme apo shmangiet e tyre. Ky është moment historik për Shqipërinë, në të gjitha kuptimet. Sepse është hapur një dritare e një mundësi që nuk vjen për herë të dytë dhe që shfrytëzon një hapësirë kohore kaq të shkurtër”, tha kryeministri.

Më tej vuri theksin te realizimi i këtyre kritereve dhe për të parë vetëm nga Perëndimi, për të mos humbur asnjë ditë.

“Mundësia kohore është më e larta se ndonjëherë, jo se po bëjmë detyrën tonë që nuk diskutohet, por edhe se BE është më e pranishme dhe kërkuese, që janë të detyruar po kaq sa ne që të bëhemi pjesë e BE-së. Ne kemi mundësinë të mos humbim asnjë ditë, sepse kemi mundësi, sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në kaq kohë deri në 2027, dritarja mund të mbyllet, siç e kemi parë edhe më parë kur nuk përputhej me interesat, pavarësisht realizimit të kushteve të negociatave, dilte një vend dhe thoshte jo. Shqipëria bllokohej në proces negociatash, kurse ky është momenti. Ndaj siç thoshte edhe Naim Frashëri me veprën e tij, Dielli lind atje ku perëndon, kjo mund të bëhet realitet, ndaj të mos humbim asnjë ditë, asnjë muaj, le pastaj të humbim vite. Ndaj edhe kjo marrëveshje me Izraelin është pjesë e këtij projekti. Dua të falënderoj të gjithë ata që realizuan marrëveshjen, Bashkinë e Tiranës, Izraelin, ambasadoren. Kjo qendër të dhënash do jetë platformë e rëndësishme për të gjitha institucionet, por edhe për studentë dhe fakultetet e Tiranës”, përfundoi kreu i qeverisë.

Teda Tiranë është një projekt strategjik i iniciuar nga Bashkia Tiranë, me vlerë investimi 100 milion euro tha ministri Blendi Gonxhja, për një zonë të lirë ekonomike prej 35 hektarësh e vendosur mes Vaqarrit dhe Kasharit. Ajo synon të ofrojë lehtësira për investimet e huaja në sektorë si teknologjia, industria automotive, inovacioni, prodhimi dhe industri të tjera ku pritet të gjenerohen 7000 vende pune me pagat nga më të lartat.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lea: 28/02/2025 11:58

    Paska qen dhe Blend Tullumi , la nom duke henger Tulluma mjes drek dark ky gonxhja

    Përgjigju
  • Ada: 28/02/2025 11:53

    Tani po arrika “Paragon” qe te pergjohen te gjithe kundershtaret, perfshire ata te SPAK-ut.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?