Foto ilustruese

Shqipëria fiton betejën rajonale në tregti,  e 'mposht' vetëm Serbia

18 Dhjetor 2022, 07:51| Përditesimi: 18 Dhjetor 2022, 07:57

  • Share

Tregtia e mallrave në Rajonin e Ballkanit është përmirësuar. Në 10-mujorin e vitit 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë totale me 5 vendet e rajonit, nga 6.5% në vitin 2010. Që nga viti 2018 deri në tetor të vitit 2022, Shqipëria ka kaluar në suficit tregtar, përveç Serbisë. Eksportet shqiptare kanë përparësi më shumë se importet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, por në Serbi që është partneri i dytë më i madh tregtar pas Kosovës, deficiti tregtar u zgjerua më tej gjatë këtij viti. Bizneset pohojnë se procedurat nuk janë lehtësuar shumë, por Shqipëria rrezikon konkurrueshmërinë në afat të gjatë, nëse nuk mbështet bujqësinë.

Zarzavatet shqiptare janë produkte popullore në tregjet e Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është mielli serb, produkt i konsumit masiv në vendin tonë.

Gjatë viteve të fundit, volumet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Malit të Zi) janë rritur ndjeshëm, jo më shumë nga lehtësimi i procedurave tregtare, se sa nga nisma private e bizneseve që kanë vlerësuar me leverdi tregtinë afër kufijve, për produkte që më parë i faturonin në vende më të largëta. Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme tregojnë se gjatë 10- mujorit 2022, Shqipëria realizoi 10% të tregtisë me vendet e rajonit nga 6.5% në vitin 2010.

Kosova është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë në rajon, me të cilën u realizua 35% e volumit tregtar. Partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm është Serbia, me të cilën kemi 31% të volumit tregtar rajonal, më tej Maqedonia e Veriut, me 21%, Mali i Zi, me 8% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 4%. Që nga viti 2018 e deri në fund të tetorit 2022, Shqipëria rezulton të jetë suficitare në tregtinë me pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, duke dëshmuar se eksportet janë rritur me ritme më të shpejta se importet.

Rritjen më të madhe e ka regjistruar tregtia me Serbinë dhe me Kosovën, ndërsa me vendet e tjera, rritja ka qenë më e natyrshme. Të dhëna më të detajuara tregojnë se tregtia me Serbinë u nxit nga rritja vjetore e importeve të pijeve, alkoolike, bulmetit dhe kafshëve të gjalla. Kostot më të ulëta, dhe afërsia gjeografike e kanë zhvendosur furnizimin në Serbi.

Në janar-tetor 2022, importet nga Serbia ishin 27 miliardë lekë, me rritje 103% nga viti 2010, ndërsa eksportet shqiptare në Serbi ishin 9.4 miliardë lekë, me zgjerim 533% nga viti 2010. Për të njëjtën periudhë, deficiti tregtar është zgjeruar në disfavor të Shqipërisë, me 39%. Enio Zusi, drejtues në kompaninë e eksportit INCA-K, që kryen tregti në rajon me produkte të agroindustrisë, tha se, asgjë nuk ka ndryshuar në procedurat e tregtisë me rajonin këto vitet e fundit. Zoti Zusi tha se, për çdo veprim ndërkufitar ka sistem kontrolli të dyfishtë:

-Certifikatë veterinare në vendin e nisjes dhe certifikatë veterinare në vendin e mbërritjes.

-Deklaratë doganore në vendin e nisjes, deklaratë doganore në vendin e mbërritjes.

-Pagesë e agjencisë doganore gjithashtu në të dy vendet. Në kuadër të CEFTA-s, teorikisht një dokument i lëshuar në njërin vend duhet të njihet nga pala tjetër (dhe absolutisht ashtu duhet të jetë, ky është modeli i BE-së, një dokument i lëshuar në Gjermani për shembull, qoftë faturë apo certifikatë veterinare apo fitosanitare njihet edhe në Itali, edhe në Spanjë e kudo) por praktikisht, kjo nuk ndodh me Rajonin, tha biznesmeni.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i cili me kompanitë e veta ushtron import-eksport me rajonin, tha se, procedurat e tregtisë me rajonin janë lehtësuar shumë.

Sipas marrëveshjeve me Serbinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, në kuadër të procesit të Berlinit, AKU-të e vende përkatëse bëjnë inspektime në fabrikat tona dhe nuk kërkojnë certifikata fitosanitare të dyfishta. Ka një lehtësim të dukshëm, – tha Jaka, por sipas tij, kjo është rast pas rasti, në varësi të kritereve që plotësojnë kompanitë. Sipas tij, është shqetësuese mungesa e konkurrueshmërisë në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit, ku Shqipëria ka përparësi.

Mungesa e subvencioneve dhe financimet e ulëta për sektorin e bujqësor i bëjnë produktet tona më pak konkurruese nën dritën e hapjes së tregtisë me rajonin, – tha Jaka.

Tregtia me rajonin, Shqipëria suficitare

Që nga viti 2018 e deri në vitin 2022, Shqipëria ka një suficit tregtar sistematik me rajonin. Kjo do të thotë se vlera e mallrave të eksportuara në rajon është më e lartë se vlera e importeve. Në 10-mujorin 2022, Shqipëria eksportoi 60,6 miliardë lekë (513 mln euro) mallra në vendet e rajonit dhe importoi për të njëjtën periudhë 65 miliardë lekë (551 mln euro). Eksportet ishin 4,3 miliardë lekë (37 mln euro) më të larta se importet. Si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, vlera e importeve nga rajoni në Shqipëri u rrit me 23% në 10-mujorin, ndërsa eksportet u rritën vetëm me 12.7%.

Ritmet më të ulëta të eksporteve u ndikuan nga rënia e eksportit të hekurit dhe materialeve të ndërtimit në Kosovë. Tani bizneset e Kosovës furnizohen drejtpërdrejt në Portin e Durrësit pas funksionimit të doganës së posaçme. Disa mallra si hekuri, çimento etj., importohen me kosto më të lirë se sa nga fabrikat shqiptare. Këtë vit, importet nga rajoni në vlerë janë rritur nga disa produkte ushqimore, si mishi, kafshët e gjalla, bulmeti dhe vezët etj.

Që kur vendi hapi tregtinë me jashtë në vitet 1990, shkëmbimet me vendet e Ballkanit Perëndimor ishin shumë të ulëta dhe mbeten peng i luftërave dhe konflikteve ndëretnike, ndonëse afërsia gjeografike ishte në favor. Deri në vitin 2017, Shqipëria ishte deficitare sistematikisht me rajonin.

Pas vitit 2018, situata ndryshoi pasi eksportet shqiptare në rajon ishin më të larta se importet. Kjo vjen për shkak të eksporteve më të larta në Kosovë, të nxitura nga ndërtimi i Rrugës së Kombit, e cila e rriti ndjeshëm tregtinë. Vlera më e lartë e suficitit tregtar ishte në 10-mujorin e vitit 2021, kur eksportet tona në rajon ishin 25%, ose 10 miliardë lekë më të larta se importet.

Me gjithë rritjen e eksporteve, deficiti tregtar me Serbinë zgjerohet në vitin 2022

Përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri – Serbi në rrafshin politik, së fundmi edhe me Nismën Bashkëpunimi Rajonal, ka rritur ndjeshëm tregtinë ndërmjet dy vendeve. Sipas të dhënave të INSTAT, në janar – tetor 2022, tregtia në vlerë me Serbinë është rritur me 153% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Në 10-mujorin e vitit 2022, importet e mallrave në vlerë ishin 28 miliardë lekë, me rritje 25% nga viti i kaluar, ndërsa eksportet tona në Serbi shënuan 11,2 miliardë lekë, me zgjerim 23%. Deficiti tregtar rezultoi 16,5 miliardë lekë, me zgjerim 32% në raport me vitin e kaluar. Tregtia në vlerë ka shënuar rritje, si rrjedhojë e çmimeve më të larta të mallrave, por shkëmbimet në volume kanë pësuar rënie.

Gjatë 10-mujorit 2022, shkëmbimi i mallrave në sasi shënoi rënie me 15%. Rënien më të madhe e patën eksportet shqiptare në Serbi me rreth 18.4%, ndërsa importet nga Serbia shënuan rënie 12.7%. Eksportet në Serbi dominohen nga çimento, nafta dhe zarzavatet. “Lëndët djegëse, vajrat minerale etj.” është grupi i dytë i mallrave më i eksportuar në Serbi, me 8% të totalit të eksporteve.

Nga ana tjetër, grupet më të importuara të mallrave në sasi nga Serbia janë drithërat dhe pijet alkoolike, kthimet nga mbetjet ushqimore, qeramika, etj. Në vitin 2021, tregtia e mallrave në sasi ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në sasi arriti në 523 mijë tonë mallra, nga rreth 345 mijë tonë që ishte në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2021, importet nga Serbia në volum janë rritur me 17%, ndërsa eksportet shqiptare në Serbi janë rritur me 130%, për shkak të bazës së ulët.

Gjatë këtij viti është tkurrur tregtia e mallrave në sasi, nisur nga dobësitë në konsum që ka krijuar rritja e çmimeve, fenomen që po ndodh edhe me vendet e tjera. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, pohoi se eksportet tona në Serbi do të rriteshin me ritme shumë më të shpejtë, për shkak të përparësisë gjeografikë dhe klimës, por kjo nuk po ndodh, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare në bujqësi.

Tregtia me Kosovën shumëfishohet në dekadën e fundit, përfiton Shqipëria

Tregtia me Kosovën është shumëfishuar në dekadën e fundit. Gjatë 10-mujorit 2022 u shkëmbyen mbi 44 miliardë lekë mallra. Kjo ishte 283 herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2010. Nga viti 2010 e deri në tetor 2022, eksportet shqiptare në Kosovë u rritën me 268%, ndërsa importet u rritën me 325%. Suficiti tregtar në të njëjtën periudhë u zgjerua me 234%. Suficiti arriti 12,3 miliardë lekë në 10-mujorin 2022, me rënie 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021, për arsye të rënies së eksporteve shqiptare në Kosovë.

Gjithashtu, eksportet në sasi nga Shqipëria në Kosovë shënuan rënie të mprehtë në 10-mujorin e këtij viti. Të dhënat e detajuara nga NSTAT tregojnë se në janar-tetor u eksportuan në Kosovë 577 mijë tonë mallra, nga 964 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2020, me një rënie 40%. Për rrjedhojë, eksportet drejt Kosovës zunë 18% të totalit të eksporteve shqiptare në 10-mujor, nga 28% një vit më parë.

Shkak për këtë rënie është bërë kryesisht hekuri dhe nafta. Hapja e shërbimeve ekskluzive për Kosovën në Portin e Durrësit ka bërë që kompanitë kosovare të furnizohen direkt me naftë, çimento dhe hekur. Më parë, këto furnizime kryheshin nga kompanitë shqiptare të prodhimit të hekurit dhe çimentos. Me rritjen e kostove të energjisë elektrike, “Kurum”, kompania e prodhimit të hekurit në Elbasan, vendosi të mbyllë prodhimit, pasi hekuri nga importi vinte me çmim më të lirë. Aktualisht si Shqipëria dhe Kosova furnizohen me hekur importi.

Të dhëna më të detajuara nga INSTAT tregojnë se, rënia e eksporteve drejt Kosovës është krijuar nga volumet më të ulëta të eksportit të materialeve, ndërtimit, hekurit dhe naftës. Rënien më të madhe e ka shënuar eksporti i gëlqeres dhe çimentos. Gjatë 10-mujorit u eksportuan 218 mijë tonë gëlqere dhe çimento, ose 47% më pak se e njëjta periudhë e 2021. Giza dhe çeliku shënuan rënie, me 25% dhe xeherorët, me 71%.

Në anën tjetër, me rritje ishin eksportet e zarzavateve, drithërave, plehëruesve dhe revistave e librave. Eksportet e zarzavateve në sasi u rritën me 5%. Kosova është treg kryesor i prodhimeve të serrave shqiptare. Por këtë vit u vu re rritje e fortë e eksportit të plehrave për bujqësinë. Aktorët e tregut pohuan se kërkesa për plehëruesit nga bujqit shqiptarë ka rënë ndjeshëm këtë vit, ndaj sasitë që u importuan më parë për Shqipërinë po rieksportohen në Kosovë.

Këtë vit janë rritur eksportet e drithit shqiptar në Kosovë dhe disa produkte të industrisë blojtëse dhe mjaltit. Shqipëria dhe Kosova, në vitet e fundit, kanë zhvilluar disa mbledhje të përbashkëta, në themel të të cilave ka qenë lehtësimi i tregtisë dhe krijimi i tregjeve të përbashkëta. Por në sfond të takimeve dhe qindra marrëveshjeve të firmosura ndërmjet enteve publike, tregtia ndërmjet dy shteteve të të njëjtit komb ka përparuar shumë ngadalë. Marrëdhëniet tregtarë më shumë shënojnë episode konflikti se sa lehtësi për të rritur përfitimet e përbashkëta nga hapja e tregjeve.

2022, Shqipëria kalon në suficit tregtar për herë të parë me M.Veriut

Në historinë shumëvjeçare të tregtisë, Shqipëria, për herë të parë më 2022 kalon në suficit tregtar me Maqedoninë e Veriut, e cila është partneri i tretë tregtar pas Kosovës dhe Serbisë. Në 10-mujorin 2022, tregtia totale me Maqedoninë e Veriut ishte 26,7 miliardë lekë, me nga të cilat 13.8 miliardë lekë ishin eksporte dhe 12.8 miliardë lekë ishin importe. Suficiti tregtar arriti në 1 miliard lekë, nga rreth -106 milionë lekë deficit në vitin që shkoi.

Nga viti 2010 deri në tetor 2022, importet maqedonase drejt Shqipërisë janë rritur me 111%%, ndërsa eksportet tona, me 530%. Suficiti tregtar në të njëjtën periudhë është përmirësuar me 125%. Eksportet Shqiptare në Maqedoninë e Veriut dominohen nga materialet e ndërtimit, nafta dhe zarzavatet. Importet përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, ushqimet e përpunuara, produktet kimike dhe plastike, si dhe mineralet.

Në suficit edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën

Tregtia e mallrave me Bosnjën dhe Malin e Zi zë vetëm 12% të volumit tregtar me rajonin. Me Malin e Zi, Shqipëria ka pasur suficit tregtar sistematik në 10 vitet e fundit. Tregtia totale në vlerë arriti në 10,3 miliardë lekë në 10-mujorin 2022, ku eksportet shqiptare ishin 6,2 miliardë lekë, ndërsa importet, 4 miliardë lekë. Suficiti tregtar arriti në 2,1 miliardë lekë. Nga viti 2020 në tetor të vitit 2022, eksportet tona drejt Malit të Zi u zgjeruan me 487%, ndërsa importet, me 523%. Suficiti tregtar me Malin e Zi është rritur me 430% me bazë 10-mujore nga viti 2010 deri në 2022.

Grupet kryesore të eksportit në Malin e Zi janë mineralet dhe lëndët djegëse, materialet e ndërtimit dhe ushqimet, pijet dhe duhani. Ndërsa importet dominohen nga prodhimet e drurit dhe të letrës, mineralet dhe materialet e ndërtimit. Bosnjë-Hervegovina është vendi me intensitetin më të ulët tregtar në raport me katër vendet e tjera. Por edhe me Bosnjën, Shqipëria rezulton të jetë suficitare në tregti. Në 10-mujorin 2022, tregtia në vlerë me Bosnjën arriti 5,3 miliardë lekë, ku importet ishin 2,6 miliardë lekë dhe eksportet 2,7 miliardë lekë. Viti 2021 është i pari ku tregtia me Bosnjën kalon në suficit, ku eksportet ishin rreth 1 milion euro më të larta se importet./Monitor

Komento

Komente

  • Ajshe Rexhbogaj: 19/12/2022 21:33

    Ju lutėm shumē duhët tē vetēdijēsohēmi e të prodhojme vet pdh tē mjellin grun e misër sikur, e pemē e pērime njējtē si deri në vitin 1989 dhe tē kēmbējmē mallēra Shqipëra, Kosovē , Tetove e mal te Zi. e anasjelltas. E jo nga Serbia e Turqia mallëra tē kaluar skadenca. Tē forcojmē ekonomin. Dhe minostria e bujqëdis dhe e tregtis duhēt tē jet afer qytētarēve duke ju ndihėmuar nē kēto kohė tė vėshtira pēr ne.

    Përgjigju
  • Shqipëria: 18/12/2022 10:19

    Me pak fjalë, i dhamë Serbisë një port.

    Përgjigju
  • Timi: 18/12/2022 10:05

    Fanar ndricues. C'e pyet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?