Shqipëria renditet e parafundit nga vendet fqinje për klimën e të bërit biznes. Një raport i Dhoma Evropiane e Tregtisë (Eucham) i bazuar në kërkimet e Bankës Botërore dhe Transparencën Ndërkombëtare e liston Shqipërinë në vendin e 44 mes 46 vendeve të marra në studim, e ndjekur nga Bosnje Hercegovina në vendin e 45.
Vendi ka humbur 2 pozicione në raport me vitin 2019 për klimën e biznesit dhe ka humbur 1 pikë për transparencën dhe korrupsionin. Për shumë vite ekspertët kanë fajësuar politikën dhe çështjet e pronave për përkeqësimin e klimës së biznesit në vend, por eksperti i ekonomisë Mateo Spaho liston një sërë problemesh që mbart ekonomia jonë.
“Dy që janë elementet kryesore për të bërë biznes që është energjia elektrike dhe karburantet që çdo biznes ka nevojë për to kushtojë më shumë se në çdo vend të rajonit. Së pari nafta kushton 30-40 lekë më shumë në raport me Kosovën e Maqedoninë. Kemi edhe disa problematika të tjera lidhja me energjinë elektrike, mbrojtja e investitorëve, niveli i korrupsionit duke vijuar me vështirësinë për të paguar taksat. Nëse në Evropën perëndimore duhen 150 orë në vit për të paguar taksa në Shqipëri duhen 250 orë, por kjo kohë nënkupton para që humbet”, shprehet eksperti ekonomisë Mateo Spaho.
Këto problematika sipas ekspertit u përforcuan edhe më shumë gjatë pandemisë COVID-19, ku shumë vende fqinje ndihmuan direkt me fonde biznesin.
“Në Maqedoni janë dhënë rreth 5 mijë euro për biznes, kreditimi për çdo biznes është me interesa zero, është dhënë 100 euro për çdo person që do të kalonte pushimet në Maqedoni, apo dhënia e 150 euro për shtëpiaket. Ndërkohë në Shqipëri çfarë ka ndodhur? Shteti imponoi mbylljen si në vendet e tjera, por nuk ka dhënë asgjë”, pohon Spaho.
Ashtu si në vitet e mëparshme, vendet nordike janë ende dominuese në krye të hulumtimit për klimën më të mirë. Sipas studimit të Dhomës Evropiane të Tregtisë Mali i Zi është më lart në renditje në vendin e 30, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut në vendin e 36, Serbia e 38 dhe Kosova në pozicionin e 50.