Sport

Shqipëria i jep lamtumirën Sabah Bizit, homazhe në 'Loro Boriçi'! Një minutë heshtje në ndeshjet e fundjavës

17 Janar, 11:45| Përditesimi: 17 Janar, 17:07

  • Share

SHKODËR - Ish-futbollisti i Kombëtares dhe i disa klubeve në Shqipëri, "Nderi i Kombit" Sabah Bizi mbylli sytë këtë të enjte në Shkodër në moshën 77-vjeçare. I spikatur si mesfushor, Bizi ishte pjesë e asaj kategorie futbollistësh që të bënte për vete me forcën dhe elegantën në mendim e këmbë, që përkthehej në siguri për shokët e skuadrës.

Në nderim të figurës së tij, stadiumi "Loro Boriçi" në Shkodër hapi dyert e mortit duke pritur këtë të premte qindra e qindra qytetarë dhe tifozë të Vllaznisë e jo vetëm, që këtë herë i madhi Bizi i mblodhi për herë të fundit, si për të shijuar "lojën finale" në fushën që la talentin dhe djersën.

Pjesë e homazheve ishin figurat më të larta politike dhe publike në Shkodër, ish-futbollistë, futbollistë dhe drejtues klubesh që shprehën konsideratat për një emër që ishte i lindur për futbollin.

Në nderim të tij gjatë fundjavës ndeshjet e kampionatit shqiptar do fillojnë me një minutë heshtje, teksa ish-klubet e tij të Vllaznisë dhe Partizanit kanë konfirmuar se do luajnë me shiritin e zi në krah.

Kush ishte Sabah Bizi

I lindur më 26 janar 1948 në Shkodër, Bizi spikati që në hapat e tij të parë në futboll. Ai u bë pjesë e skuadrës së parë të Vllaznisë që në moshën 17-vjeçare dhe luajti me fanellën e saj deri në 1968- ën.

Më pas ish-mesfushori kaloi te Partizani, pasi u transferua në Tiranë për të kryer shërbimin ushtarak. Ai qëndroi 3 vjet me klubin e kuq dhe në vitin 1971 fitoi titullin kampion. Dashuria e shkodranëve për një nga idhujt e tyre dhe po ashtu dëshira e vetë Bizit ishte që të rikthehej te Vllaznia.

E famshme është historia e punëtorëve të hidrocentralit të Vau të Dejës, të cilët u vunë si “kusht” drejtuesve politikë të kohës që të rikthenin Sabah Bizin te Vllaznia, në mënyrë që punët të kryheshin në kohë. Kërkesa u plotësua dhe epoka “Bizi 2" te Vllaznia është më e suksesshmja në historinë e futbollit shkodran.

Me fanellën kuqeblu u shpall 3 herë kampion i Shqipërisë, në vitet 1972, 1974 dhe 1978. Kjo periudhë e lavdishme e shndërroi në një legjendë. Në karrierë, Bizi ka fituar edhe një Kupë të Shqipërisë me Vllazninë në 1972-shin. Këtë vit shkodranët u bënë skuadra e parë në historinë e futbollit shqiptar që fitonin të dy trofetë brenda një sezoni.

E pasur është historia dhe karriera e Sabah Bizit edhe me Kombëtaren shqiptare, ku ka luajtur që në moshën 19-vjeçare. Me fanellën kuqezi numëron 15 ndeshje dhe një gol të shënuar në periudhën 1969-1976.

Vlen të theksohet se Bizi ka qenë pjesë e Partizanit në vitin 1970, me të kuqtë që për herë të parë në histori fitonin një kupë ndërkombëtare duke u shpallur trimfues të "Kupës Ballkanike".

Vlerësimet

Sabah Bizi ka qenë një nga personazhet më të vlerësuara në futbollin tonë. Ai është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”. Po ashtu, në një anketë për vlerësimin e futbollistëve të shekullit të kaluar në Shqipëri, Sabah Bizi është renditur në vend të dytë. Përpara tij ka dalë një tjetër emër i madh, siç është Panajot Pano.

Homazhet në nderim të Sabah Bizit

Ora 12:21
Trajneri Edi Martini: Stadiumit të Shkodrës t'i vendoset emri 'Sabah Bizi'


Pas ndarjes nga jeta të legjendës shkodrane të futbollit Sabah Bizi, të shumtë janë ata që mendojnë se figura e tij duhet vlerësuar. Edhe trajneri i Teutës, Edi Martini mendon se stadiumi "Loro Boriçi" në Shkodër duhet të marrë emrin "Sabah Bizi".

"Drejtuar bashkisë Shkodër,kryetarit Benet Beci dhe shokut tim Rudin Beka. Nuk e di e kam gabim apo sepse Sabah Bizi ishte debulesa ime, por edhe shumë qytetarëve shkodran. Kur Napoli ndërroi emrin e stadiumit nga 'San Paolo' në 'Maradona', unë mendoj që nuk ka asgjë të keqe sikur stadiumi i Shkodrës të marrë emrin 'SABAH BIZI'!", shkruan trajneri shkodran i Teutës.

Mesazhi i Martinit
S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mergimtari: 17/01/2025 15:02

    Z.Martini,stadiumi i Shkodres e ka emrin e nje personaliteti te nderuar.Ka vende te tjera ku mund te vendoset emri i te nderuarit Saba Bizi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?