Është interesante harta zgjedhore që del nga votimet e 11 majit 2025: Shqipëria jonë elegante, me kokën blu (Shkodra, Kukësi e Lezha të së djathtës) dhe gjithë trupi violet i Partisë Socialiste.
Ndërsa sallonet politike po ziejnë me komentet postzgjedhore, duket se fati na ka sjellë një shenjë interesante për ta lexuar: A jemi ne shqiptarët e 2025-s kështu? Me kokën blu të së Djathtës, të paktën ajo europiane, duhet të ketë në synim familjen, besimin, identitetin kombëtar, pronën, rendin, patriotizmin dhe me gjithë trupin violet të së Majtës që në thelb të saj duhet të ketë: Punën, barazinë, progresin, të drejtat, mjedisin, emigracionin, dialogun, gruan, minoritetet?
Ka nisur një garë e shfrenuar, siç na ka ndodhur në gjithë këto vite, për të poshtëruar humbësit e për të lavdëruar fituesit. Po e bëjnë edhe ata që humbësit i nxisnin të merrnin armë, gurë, molotovë e çdo gjë kundër të tjerëve shqiptarë.
Harrojmë se pas një ngjarjeje, pas një ndodhie duhet të ndalim pak dhe të reflektojmë. Të arrijmë të dëgjojmë frymëmarrjen e një Shqipërie që ka dëshirën më të madhe të të gjithë kohërave të përmirësohet, të ndryshojë, të punojë.
Eshtë e bukur harta e Shqipërisë postzgjedhore me fustanin violet dhe kokën blu. Por, e dimë mirë se më e rëndësishme se pamja është zemra e një vendi dhe atë duhet të gjithë ta dëgjojmë pa zhurmat që disa krijojnë. Duket që kjo zemër, në këto kohë ka zgjedhur Punën, pasi është vetëm puna ajo që mund ta ndryshojë dhe përmirësojë Shqipërinë. Ndoshta, pasi të rimëkëmbet e të marrë veten mirë, do të vijë radha të mendojë për të tjera vlera, ama vlera të vërteta të së djathtës europiane, që sot nuk i sheh ende si prioritet, i bukuri vendi im.
Komente

Perfundimisht, hendeku Veri-Jug, mbetet dhe mos thone qe ishte veper e Enverit! Eshte ceshtje rrenjesh historike, mentaliteti, diference emancipimi, etj…
Përgjigju