Shqipëria është gati të shënojë një tjetër moment historik në rrugën drejt Bashkimit Evropian, mbajtjen e konferencës së katërt ndërqeveritare më 14 prill në Luksemburg. Tryeza e radhës me Bashkimin Evropian që do të mbahet në Luksemburg do të çelë zyrtarisht grupkapitullin për “Tregun e Brendshëm”, që do ta çojë në 3 grupkapitujt me të cilin Tirana zyrtare nis bisedimet me Brukselin.
Hapja zyrtarisht e këtij klusteri, i cili përfshin 9 kapituj, prek fusha themelore për integrimin ekonomik dhe tregun e lirë, përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, kapitalit, pronësinë intelektuale, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorëve etj.
Lidhur me këtë lajm ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama me një status në rrjetet sociale, i cili ka ironizuar opozitën, e cila gënjente shqiptarët duke thënë se procesi i negociatave ishte bllokuar. Madje Rama me ironi komenton edhe deklaratat e Berishës mbi një seancë dëgjimore në Parlamentin Europian për Shqipërinë, teksa shkruan “u alarmua Europa nga narkodiktatura ëëë?!”
"Po si thanë? S’ka më hapje kapitujsh ëëë?! U alarmua Europa nga narkodiktatura ëëë?! Madje mua s’më dhanë as darkë se u solla keq ëëë?!
Ëh ëh ëh… Të hënën 14 prill në BE, për Konferencën e Katërt të negociatave dhe një seri tjetër kapitujsh që hapen. Këto janë negociatat më intensive në historinë e integrimit dhe kur mendon që Mali i Zi negocion që nga 2012, ndërsa në që vjet dhe kur mendon edhe që kalendari ynë është vetëm 3 vjet, pra i mbyllim në 2027 e jemi gati për të hyrë në BE, atëherë s’ke si mos u thuash honxhobonxhove të kënetës politike e mediatike dhis is a mirrakëll of fridom", shkruan Rama.
Në tetor të 2024-ës, gjatë kohës që Hungaria mbante presidencën e Bashkimit Europian, vendi ynë hapi zyrtarisht grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, atë të kapitujve “Themelorë”, që prekin drejtësinë, administratën dhe shtetin e së drejtës. Ndërsa pak javë më pas, më 17 dhjetor u çel grupkapitulli i marrëdhënieve me jashtë, me bisedimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Hapja e grupkapitullit për “Tregun e Brendshëm” si një nga momentet më të rëndësishme, pasi ndihmon Shqipërinë të afrohet me standardet e BE-së për ekonominë e tregut dhe të drejtat e konsumatorëve. Pas kësaj konferencë tyë katërt ndërqeveritare Shqipëria është në pritje të një date tjetër për hapjen e një tjetër klasteri, ajo për konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirësë, që do ta çonte në 4 numrin e grupkapitujve nga 6 gjithsej në procesin e negociatave me Bashkimin Evropijan.
Mbeten Agjenda e Gjelbër dhe Qëndrueshmëria që përfshin transportin, energjinë dhe mjedisin e ndryshimet klimatike, si dhe grupkapitulli i fundit, ai i Bujqësisë me fokus tek siguria ushqimore, politikat e zhvillimit rural dhe të peshkimit, për të cilët Brukseli dhe Tirana janë duke vijuar përgatitjet paraprake.
Komente
